Ilustrim

Shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq, QKUK: Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, katër janë duke u operuar

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës njofton se është duke trajtuar pacientët që kanë pasuar djegie nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës. Katër nga ta janë duke u operuar në sallën e operacionit.
Sipas njoftimit, pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshëm të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.
“Meqë trajtimi është duke vazhduar dhe gjendja shëndetësore mund të pësojë ndryshime, mjekët kërkojnë mirëkuptim nga mediet dhe publiku” – thuhet në njoftim.
QKUK njofton se ekipi emergjent në përbërje të mjekëve specialistë të profileve të ndryshme dhe infermierëve po trajton pacientët.
“Pacientët pasi kishin marrë trajtimin fillestar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, janë sjellë në QKUK” – vazhdon njoftimi. Sipas këtij njoftimi, informatat e plota do të jepen pas ekzaminimeve finale nga mjekët kujdestarë.