Ish-deputeti Arben Ndoka duke dale nga parlamenti me 18 shtator 2014. LSA / FRANC ZHURDA

Dy ish-deputetë socialistë përfundojnë në pranga

Dy ish-deputetë socialistë u arrestuan nga policia në bazë të urdhrave të prokurorëve të krimeve të rënda ditën e dielë për akuza të veçanta, bëri të ditur policia. Operacionet e pazakonta çuan në pranga ish-deputetin socialist Arben Ndoka nga Lezha, i cili për shumë vite u bë simbol i lidhjeve të Partisë Socialiste me persona me të shkuar kriminale, si dhe ish-deputetin e Lushnjës Arben Çuko, i cili dyshohet për marrje mite  nga të burgosurit.

Sipas policisë, Ndoka “dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash”. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se grupi kriminal ka abuzuar me trojet shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit.

Ndoka u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga listat e Partisë Socialiste në Qarkun Lezhë në vitin 2014 pas dorëheqjes së dy deputeteve socialiste njëra pas tjetrës në periudhën nga krijimi i Kuvendit të ri në shtator 2013 deri në janar 2014. Gjatë viteve 2014 e 2015, Ndoka u sulmua nga opozita për të shkuarën e tij kriminale. Ai ishte dënuar në Itali për trafik qenies njerëzore dhe pati përfituar nga gjykatat shqiptare, të cilat bënë të mundur lirimin e tij brenda tri vitesh nga shtatë që ishte dënimi fillestar. Simbol i nevojës për dekriminalizimin e politikës shqiptare, Ndoka dha dorëheqjen në shtator 2015 dhe deklaroi se ishte viktimë e rrethanave dhe i pafajshëm për akuzën për trafik qeniesh njerëzore. Në dhjetor 2017, ish-deputeti humbi të vëllain Aleksandër Ndoka, i cili u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në Lezhë.

I arrestuari tjetër, Arben Çuko, ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Qarkun Fier që nga viti 2009 dhe ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare për parlamentin e kaluar. Në vitin 2017, ai u bë Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, ndërsa u shkarkua muajin e kaluar.

“A. Ç dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve”, bëri të ditur policia.

Arrestimi i Çukos u përshëndet nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se ndjehej i “keqardhur” për ish-deputetin e tij.

“Keqardhje për A.Çukon po për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjin,ka vetëm një”, tha Rama në Twitter. (reporter.al)