Dy Familje të Dëshmorëve nuk Pajtohen për Ditën e Shkollës

Shkolla fillore në fshatin Dobrajë e Madhe të Komunës së Lipjanit është emëruar “Dy Dëshmorët” për nder të dëshmorëve të kësaj komune Lulzim Llugiqi dhe Xhevdet Breznica.

Por familjet e këtyre dëshmorëve nuk kanë mundur të gjejnë kompromis për caktimin e një dite të shkollës duke kërkuar që dita të përkojë me datën e rënies së familjarëve të tyre.

Këtë vit dita e shkollës është mbajtur më 10 maj që nuk përkon me asnjërën prej këtyre datave.

Ibadete Llugiqi, kryetare e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe njëkohësisht motra e dëshmorit Lulzim Llugiqi thotë se dita e shkollës do duhej të ishte data e rënies së vëllait.

“Ne si shoqatë mendojmë se do të reagojmë, do ta kërkojmë një përgjigje që ose le të jetë data e dëshmorit  Lulzim Llugiqi i cili ka rënë nën emblemën e UÇK-së, nën uniformën e UÇK-së, ose asnjë datë,” deklaroi Llugiqi.

KALLXO.com kontaktoi përmes telefonit edhe vëllanë e dëshmorit Xhevdet Breznica, i cili konfirmoi se familjet e dy dëshmorëve kishin pasur mosmarrëveshje dhe për këtë arsye pajtohet për një datë neutrale siç është 10 maji.

“Ata kanë pasur dëshirë për ditë të tyre edhe na kemi pasë dëshirë për ditën tonë, unë jam pajtuar që këshilli i shkollës ta gjejë një mes, as datën time as të tyre, edhe drejtoria na kanë thënë të merremi vesh, por nuk kemi mundur me u marrë vesh. Unë me këtë datë-10 majin pajtohem plotësisht,” tha  Ismet Breznica.

Drejtori i kësaj shkolle, Adem Hajnuni thotë se data 10 maj është caktuar nga këshilli i shkollës si një datë neutrale meqenëse familjet nuk janë marrë vesh.

“Në ato shkolla, në institucione kudo që janë dy dëshmorët, tre dëshmorët ose çfarë do emri që ka, nëse familjet e dëshmorëve nuk mund të arrijnë një marrëveshje atëherë këshilli i shkollës duhet të bisedojë me atë familje dhe ta bëjë një zgjidhje,” tha Hajnuni.

Ndërkaq Rasim Hasani, drejtor komunal i Arsimit vlerëson se pa marrë parasysh meritat në luftë, shkolla mban emrin e dy dëshmorëve  dhe në këtë mënyrë do duhej të caktohej edhe dita që kremtohet.

“Qytetarët e Dobrajës dhe të gjithë ata njerëz që thirren në meritat e luftës duhet të kuptojnë se aty është fjala për dy dëshmorë  dhe deri sa familjet e atyre dy dëshmorëve nuk mund të gjejnë kompromis në mes veti që të shënohet kjo si ditë e shkollës, atëherë nuk mund të veprohet ndryshe përveç  të marrë vendim këshilli i shkollës,” tha Hasani.

Xhevdet Breznica ka rënë më 2 shkurt të vitit 1990 ndërsa Lulzim Llugiqi më 5 qershor të vitit 1999.