Dugolli: Ka pasur tendencë favorizimi të privatëve

Pas mbledhjes së mbyllur të senatit të Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” për media ka folur dekani i Fakultetit të Filozofikut, Bujar Dugolli.

Ai tha se gjatë kësaj mbledhje nuk kishte ndonjë pikë të veçante që mediat të mos lejohen, sepse sipas tij publiku duhet të dijë qëndrimet e senatit për grevat dhe veprimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Ju e dini sa i përket grevës ne vetëm jemi solidarizuar me SBAShK-un, ka qenë një përkrahje e tyre dhe nga aspekti tjetër UP është në pauzën semestrale deri në gjysmën e shkurtit. Ne shpresojmë që Kuvendi ta votojë ligjin e Pagave nesër dhe jemi të gatshëm që të fillojmë provimet, të paktën të gjithë dekanët u pajtuan që të fillojnë t’i mbajnë provimet”, tha Dugolli.

I pyetur nëse greva e rektorëve në lidhje me vendimet e KShC-së për heqjen e akreditimeve të disa programeve të UP-së, Dugolli tha se nuk ka nevojë për një grevë të tillë.

“Ne nuk e dimë ata çka kanë vendosur, aty është parë një tendencë që të favorizohen institucionet private, por ne kërkuam që të rezervohen deklarimet para se ti marrim vendimet, mund të ndodh që janë vetëm paralajmërime. Ne nuk kemi marrë asnjë vendim me shkrim, nëse ata kanë vendosur që të largohen këto akreditime, ne do ankohemi e po ashtu do të shfrytëzojmë mundësinë e Gjykatës”, tha ai.

Dugolli foli edhe për fakultetin e tij, për të cilin KShC-ja ia ka hequr akreditimin dy programeve, tha se

“Sa i përket fakultetit tim ne jemi shumë të kompletuar. 48 doktor shkenca, 10 do të doktorojnë se shpejti, 5 nga doktorët janë të pa deklaruar, 2 në pushime kanë qenë, 2 kanë pasur problem teknike në deklarime, ata si kanë marrë parasysh këtaMendoj se në këto raste duhet të ketë leshime sepse duhet tju ndihmohet institucioneve”, tha ai

“Këtë qëllim duhet ta ketë çdo institucion që ka për qëllim zhvillimin e cilësisë. Ne kërkojmë që të rishqyrtohen këto çështje kur të sillen vendimet të na tregohet saktë dhe ne të përgjigjemi më kohë”, tha dekani i Fakultetit Filozofik.

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot është mbledhur për të diskutuar rreth vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë ndaj programeve studimore.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi ka lexuar reagimin e Këshillit Drejtues të cilët kanë kërkuar që menaxhmenti i UP-së të mos jap deklarata publike rreth kësaj çështje.

“Këshilli drejtues shpreh shqetësim dhe kërkon nga përfaqësuesit e UP-së  të përmbahen nga deklarata publike dhe të pamatura”, ka thënë Kelmendi.

Rektori i UP-së Marjan Dema ka propozuar që mbledhja e Senatit të jetë e mbyllur dhe shumica e senatorëve janë pajtuar.