Foto: KALLXO.com

Senati ka votuar statutin e ri të Universitetit të Prishtinës, këto janë risitë

Me 20 vota për, 3 abstenime dhe asnjë kundër, është votuar sot statuti i ri i Universitetit të Prishtinës.

Statuti i ri u votua në mbledhjen e 45-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje është bërë e ditur se statuti përcakton rregulla që avancojnë aspiratat për barazi gjinore, rrisin kriteret për zgjedhjen në pozitat drejtuese dhe përmbajnë ndalesa për periudha të konsiderueshme kohore për personat të cilët ushtrojnë ose kanë ushtruar funksione politike apo partiake dhe synojnë pozita drejtuese në Universitet.

Rektori Qerim Qerimi ka përmendur disa nga synimet të cilat do të arrihen me këtë statut.

Sipas tij, statuti i ri reflekton ngritje substanciale të standardeve të funksionimit si institucion dhe avancim të standardeve akademike.

“Drafti i ri i statutit parasheh një funksion më të decentralizuar të Universitetit duke bartur e saktësuar përgjegjësitë dhe llogaridhënien menaxheriale drejt rektorit e dekanëve, ndërsa në anën tjetër parasheh edhe rol më të fuqizuar akademik të Senatit dhe të këshillave të njësive akademike” – është shprehur rektori Qerimi.

Në fillim të mbledhjes profesori dhe njëherazi senatori Bujar Dugolli kërkoi që statuti të diskutohet por të mos votohet gjatë kësaj mbledhjeje por të ndodhë në një mbledhje tjetër të thirrur në shtator.

“Bëhet fjalë për një akt i cili nuk është ndryshuar që një kohë të gjatë. Grupi punues ka bërë një punë të mirë në shumë elemente, por kanë mbetur disa çështje që konsideroj duhet të sqarohen për të arritur një konsensus sa më të madh… Sot nuk jemi të gatshëm për me votu, thjesht diskutojmë, ju merrni opinionin e Senatit edhe mandej kthehemi në një mbledhje të radhës ta përkrahim” – tha Dugolli.

Kurse senatori prof. Liridon Veliu tha se atyre nuk iu është dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shqyrtuar dhe analizuar vendimet e këtij statuti.

Sipas rektorit Qerim Qerimi ka 11 vjet kohë që është diskutuar ky draft dhe se për statutin e deritanishëm i kanë përjetuar defektet, mangësitë e nevojat për ndryshim.

“Për sa i përket nevojës për potenciale për diskutime shtesë, këto diskutime nuk është që do të bënin me patjetër një draft ose statut më të mirë. Ajo çfarë është e rëndësishme është që ka diku gjashtë muaj e më tepër që ne punojmë në këtë draft të ri” – ka thënë Qerimi përgjatë fjalimit të tij.

Ai tha se ishte ai që kishte paraqitur një koncept që propozon bazën mbi të cilën është zgjedhur si rektor dhe kështu ka gjetur përkrahje.

Kështu që Qerimi ka përfunduar duke thënë se diskutimet për këtë draft, puna në grupin punues dhe në Këshillin Drejtues, janë shteruar.

Megjithëse ai ka shpjeguar se sot nuk do të merret një vendim përfundimtar dhe se janë mbledhur dy herë me dekanët ku i kanë dëgjuar propozimet lidhur me draftin dhe i kanë reflektuar më pas në këtë draft.

“Nëse ky Senat e miraton draftin e statutit, atëherë ideja është që i njëjti i përcillet Ministrisë, dhe më pastaj dërgohet dhe kërkohet shqyrtimi dhe vendimmarrja në Kuvend. Vendimi përfundimtar nuk merret këtu” – ka theksuar Qerimi.

Në vazhdim janë përmendur disa nga pikat më të rëndësishme të statutit, të cilat do të arrihen me miratimin e tij.

Do të arrihet një nga qëllimet e rëndësishme siç është krijimi i instituteve dhe qendrave hulumtuese funksionale në nivel Universiteti, të cilat do të kenë një autonomi të gjerë të veprimit buxhetor dhe administrativ.

Me statutin e ri Universiteti reflekton qartë koherencën me politikat dhe parimet e ENQA-s për sigurimin e brendshëm të cilësisë, ndërsa parashihen edhe politika të reja për vlerësim të performancës të personelit akademik.

Në anën tjetër, krijimi i institucionit të Ombuds personit në këtë statut paraqitet si një mekanizëm plotësues për trajtimin e diskriminimit ose shkeljeve të të drejtave të studentëve.

Paraqitet një standard i ri i funksionimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe e bën UP-në më mirë të pozicionuar ndaj sfidave të kohës, përfshirë këtu trendin e rënies konstante të numrit të studentëve.

Punimet shkencore të personelit akademik janë saktësuar që duhet të jenë në platformën kredibile SCOPUS dhe Web of Science.

Është hequr kriteri i moshës 50 vjet për profesor asistent, mosha e asistentit për emërim të parë është rritur nga 30 deri 35 vjet, respektivisht 35 deri 40 për Fakultetin e Mjekësisë.

Është vendosur fillimi i vitit akademik më 15 shtator, me qëllim që semestri dimëror të përfundojë në fund të muajit dhjetor.

Planifikohet që të punohet në lidhje me zhvillimin e mësimit në të ardhmen në formë online apo të kombinuar.

Ndërkohë, gjatë diskutimeve është arritur të shtohet në statut propozimi i Dugollit që data 1 tetor të njihet si ‘Dita e Studentëve’, duke u shënuar me disa aktivitete në shenjë nderimi për lëvizjen e studentëve që filloi më 1 tetor 1997 dhe të ndahet mirënjohje për studentin e dalluar.

Gjithashtu, është diskutuar për ekipin e prorektorëve të zgjedhur dhe emëruar nga rektori, për të cilin senatorët janë pajtuar që te procedura e zgjedhjes së rektorit, kandidati për rektor duhet të paraqesë një program qeverisës, në të cilin përmban edhe profilet e kandidatëve për prorektorë.

Është reduktuar periudha prej 10 vjet sa ishte propozuar në fillim, në 5 vjet, për anëtarë të Këshillit Drejtues që kanë pasur angazhim ose funksion politik apo partiak në pesë vjetët e fundit. Kjo, sipas anëtarëve të Senatit, paraqet barazi në lidhje me periudhën pesëvjeçare, e cila vlen edhe për rektorin.