Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit. Foto: Facebook.

Drenas, suspendohet arsimtari i dyshuar për ngacmim seksual të nxënëses

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një konferencë për media lidhur me rastin e 16 vjeçares, njoftoi se arsimtari i dyshuar është suspenduar nga puna.

Lladrovci u shpreh se viktima e kishte denoncuar mësimdhënësin Sh.Xh.

Lladrovci njoftoi se mësimdhënësi është ripezulluar nga Drejtoria e Arsimit, me të marrë vesh që është i dyshuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 16 vjeçares nga Drenasi.

“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit që në kemi marrë përmes mediave jemi njoftuar se është arrestuar një hetues policor i Drenasit dhe ky rast lidhet me rastin e mësimdhënësit Sh.Xh i njohur për publikun, menjëherë duke respektu legjislacionin në fuqi Drejtoria e Arsimit ka ripezulluar nga puna mësimdhënësin në të njëjtën kohë ne si institucioni do të inciojmë rast në hetuesi ndaj tij dhe në të njëjtin do të zhvillohet procedurë disiplinore”, deklaroi i pari i Drenasit.

Ai në këtë rast tha se Sh.Xh ishte pezulluar para dy vitesh pasi që i ishte akuzuar nga nxënësja për ngacmim.

Por, sipas Lladrovcit pavarësisht insistimit që të hetohet ky rast, janë detyruar ta rikthejnë në vendin e tij të punës.

“Me datën 20.09.2017 Sh.Xh është pezulluar më 50 % të pagës. Ne kemi marrë edhe njëherë masa edhe i kemi shkru prokurorisë së shtetit se edhe atëherë e kemi konsideru si një rast i rëndë dhe kemi besu që nuk është trajtu ashtu siç duhet dhe tash po del që na kemi pasur të drejtë. Me të marrë njoftimin nga Prokuroria, aktvendimin, se pushojnë hetimet ndaj tij (mësuesit Sh.Xh) ne përsëri kemi kërkuar përgjigje nga Prokuroria, por aktvendimi i Prokurorisë na ka detyruar ta kthejmë në vend të punës dhe e kemi kthyer”, ka thënë Lladrovci.

“Nxënësja në fjalë e ka tërhequr padinë ose e ka mohuar deklaratën paraprake dhe hetuesia nuk vazhdoi hetimet por ne kemi kërkuar që hetime të vazhdojnë ose ndaj mësimdhënësit ose ndaj nxënëses, kjo ka qenë bashkëpunim”, shtoi kryetari i Drenasit në konferencë për media.

Lladrovci inkurajoi inspektoratin policor që të bëjë hetime për rreshterin policor të Drenasit i cili u arrestua si i dyshuar për dhunim për të miturën.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com më parë njoftoi se shoqëria civile në komunën e Drenasit ka paralajmëruar protestën lidhur me rastin e 16 vjeçares nga Drenasi, për të cilën dyshohet se ishte ngacmuar seksualisht nga mësimdhënësi i saj, e më pastaj është keqpërdorur seksualisht nga një zyrtar policor.

Protesta me mbishkrimin “PRO Mësimit, JO Përdhunimit” do të mbahet të premten në orën 12:00 e cila do të marshoi nga Gjimnazi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” deri tek Stacioni Policor.