Drejtori i Vlerësuar në Komunitet Kërkon një Mandat të Dytë

Drejtori i deritanishëm i një shkolle fillore në komunën e Gjakovës po ankohet se nuk është vlerësuar sa e si duhet për punën e bërë gjatë mandatit të kaluar 4 vjeçar.

Lekë Hajdaraj që e drejtoi shkollën fillore “Dëshmorët e Dushkajës” në fshatin Bardhaniq po e akuzon Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë se nuk e ka marrë parasysh vlerësimin që i është bërë nga banorët e fshatit, nxënësit dhe institucionet kur ka vendosur që të mos ia besojë edhe një mandat.

Konkursi për drejtor ka dështuar për mungesë të kandidatëve, ndërsa komuna ka emëruar si ushtrues detyre një mësimdhënës të kësaj shkolle.

Paraprakisht Hajdarajt i kishte skaduar në shkurt të këtij viti kurse ai kishte bërë kërkesë për vazhdim të mandatit

Ai thotë se personi emri i të cilit është lakuar për ta marrë pozitën e drejtorit, tani është emëruar ushtrues i detyrës.

“Është laku emri i personit i cili është caktu ushtrues detyre, dhe këtë emër unë e kam dëgju dhe ia kam bërë me dije drejtoreshës që në muajin e parë të këtij viti kurse ajo nuk e ka pranu se është e vërtetë”, thotë Hajdaraj për KALLXO.com.

Nga ana tjetër, Drejtoresha Komunale e Arsimit në Gjakovë, Diana Qarkaxhija, tha për KALLXO.com se në konkursin e janarit për nëntë drejtorë shkollash, shtatë prej tyre nuk janë zgjedhur për shkak të mungesës së kandidatëve.

Sipas saj, në bazë të udhëzimit administrativ, performanca e mirë e një drejtori nuk e obligon Drejtorinë e Arsimit që t’ia vazhdojë kontrataën.

“Nuk i mundësohet sepse mundësimi është diçka tjetër. Preferohet të bëhet dhe ajo është ekskluzive vendim që e bën Drejtoria e Arsimit dhe kryetarja e komunës. Çdonjërit nga ne që jemi kandidatë për 4 vite që jemi në një institucion, me përfundimin e datës së fundit jemi të obliguar që të heqim dorë”, tha ajo.

Edhe ajo thotë se konkursi për drejtor në të cilin ka aplikuar Hajdaraj ishte anuluar për shkak të mungesës së kandidatëve ndërsa komuna tani është në pritje të lejes nga institucionet qendrore për ta rishpallur këtë konkurs.

Prandaj ajo e fton Lekë Hajdarajn të aplikojë sërish.

Kallxo.com kishte raportuar edhe për një rast tjetër të ngjashëm në fshatin Greçinë të Gjakovës.

http://kallxo.com/banoret-nuk-e-duan-drejtoren-nga-shehri/