Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit. Foto: Facebook.

Drejtori i Drenasit, i liruar nga detyra, flet për KALLXO.com

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se ka liruar nga detyra drejtorin për Buxhet e Financave, Labinot Gruda, pas kërkesës së këtij të fundit që të lirohet nga kjo pozitë për ‘arsye personale”.

Tashmë ish-drejtori Labinot Gruda i kontaktuar nga KALLXO.com tha se largimi me vetëdëshirë nga ky post kishte të bënte vetëm me çështje joprofesionale.

“Kam dhanë dorëheqje për arsye shumë personale, çështje familjare, nuk ka të bëjë absolut me obligimet me punën. Unë e kam pasur një grup shumë të mirë aty në përgjithësi me stafin me drejtorët, me kryetarin e të gjithë kemi pasur shumë marrëdhënie të mira por për çështje personale m’u desh me u largu prej detyrës”, theksoi Gruda.

I pyetur nëse dorëheqja e tij kishte të bënte me një pozitë tjetër brenda institucioneve publike, ai nuk e mohoi këtë.

“Në sektorin e financave jo, por diku tjetër po, dhe jo në Komunën e Drenasit, se ku – do të njoftoheni më vonë”, u përgjigje shkurtimisht ai për KALLXO.com.

Labinot Gruda, njëherësh anëtar i PDK-së, ishte emëruar në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave në Komunën e Drenasit me 6 shkurt të këtij viti, menjëherë pas postit që mbante në Ministrinë e Financave në Departamentin e Thesarit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë gjatë ditës me kryetarin Lladrovci por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Lladrovci liron nga detyra një drejtor

www.kallxo.com