Debati me afaristët në Asamblenë e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Draft-rregullorja e Komunës së Prizrenit parasheh orar të punës edhe për kazinot dhe bastoret

Sot në Prizren është mbajtur debati publik për draft-rregulloren për orarin e punës së subjekteve afariste, hoteliere, zejtare, dhe shërbyese.

Pas prezantimit të draft-rregullores para të pranishmëve, e pas marrjes së sugjerimeve dhe vërejtjeve, komisioni punues i përbërë nga 13 anëtarë do t’ia dërgojë versionin përfundimtar Asamblesë Komunale të Prizrenit për votim dhe miratim.

Në nenin 7 të kësaj draft-rregulloreje është i paraparë edhe orari i punës për lojërat e fatit dhe bastoret, përkundër faktit që Kuvendi i Kosovës në muajin mars ka miratuar Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit.

Neni 7 i draft-rregullores përcakton orarin e punës për kafenetë.

Ndërsa, paragrafi 7.3 thotë se orari i punës për internet – kafe, lojëra të fatit, Sony play station dhe bastore fillon në orën 08:00 dhe mbaron në orën 23:00.

Për këtë pikë nuk pati pyetje e as sugjerime. Mbetet që në mbledhjen e Asamblesë Komunale të diskutohet kjo çështje, pasi draft-rregullorja të marrë formën përfundimtare, e më pas t’i dërgohet Asamblesë Komunale për votim dhe miratim.

Kur kjo draft-rregullore të paraqitet në Asamblenë Komunale për votim dhe miratim, atëherëë kuvendarët e të gjitha subjekteve politike mund t’i paraqesin vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre, për të cilat do të votojë Asambleja.

Projektligji për ndalimin e Lojërave të Fatit me datë 28 mars, ka marrë dritën jeshile edhe në shqyrtimin e dytë në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, kishte qenë nismëtar i peticionit për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.

https://kallxo.com/vrasja-ne-kazino-suhareka-fillon-peticionin-per-shfuqizimin-e-ligjit-per-lojerat-e-fatit/

Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshme, duke shfuqizuar edhe Ligjin e deritashëm për lojërat e fatit.

Me shfuqizimin e këtij Ligji, veprimtaria i është ndaluar edhe Lotarisë së Kosovës, e cila do të jetë e mbyllur deri në rregullimin me një ligj të veçantë.

Deputetët, të përkrahur edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës, morën këtë vendim pas dy vrasjeve që ishin raportuar nga Policia, të cilat kishin ndodhur në hapësirat e kazinove.

Ligji i ri që ndalon bizneset e lojërave të fatit mori 69 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim.

https://kallxo.com/kuvendi-miraton-ligjin-per-ndalimin-e-lojerave-te-fatit/

www,kallxo.com