Asambleja e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Agjërimi nxit debat në Asamblenë e Prizrenit

Çështja e agjërimit të disa asamblistëve dhe mosofrimi i ujit nga shërbimi i Asamblesë ka nxitur një debat të ashpër në Asamblenë e Prizrenit.

Debati shpërtheu pasi që asamblisti nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj, kërkoi arsyetim nga kryesuesi i Asamblesë Artan Abrashi pse nuk u është ofruar ujë sikur ndodh zakonisht në mbledhje.

E pasi dikush nga drejtorët e qeverisjes së Mytaher Haskukës u arsyetua me faktin se shumica e e kuvendarëve janë agjërueshëm, sepse është muaji i shenjtë i Ramazanit, kur doli në foltore Baldedaj i bëri vërejtje Abrashit, duke bërë thirrje të respektohen institucionet zyrtare.

“Respekt për secilin që agjëron, por ne jemi institucion publik e jo institucion fetar, e është obligim që të sillet ujë gjatë seancave dhe respekt për secilin që e mban Ramazanin për është çështje personale dhe ne tjerët tash nuk duhet të dalim qosheve të pijmë se s’jemi tu ba naj akt kriminal”, ishin fjalët e Ilir Baldedajt drejtuar kryesuesit Artan Abrashi.

Kur kryesuesi i Asamblesë i replikonte kuvendarit Baldedaj, ky i fundit e ftoi në debat të drejtpërdrejtë.

“Nëse do debat le foltoren e kryesuesit e hajde këtu poshtë debato me kuvendarët, e jo me keqpërdor me foltoren”, vazhdoi asamblisti i AAK-së.

“Kështu s’ke guxu me folë në kohë të Ramadan Mujës”, ishte përgjigjja e Abrashit, e cila e irritoi kuvendarin Baldedaj, i cili filloi të debatonte ashpër me kryesuesin Abrashi.

“Unë e di pse e keni nal ujin ju, se e keni pru Serbinë këtu në Prizren, keni deviju ju patriotat e Vetëvendosjes”, iu kthye Baldedaj duke ia hedhur para duarve disa dokumente për një tender publik të Komunës së Prizrenit.

Baldedaj tha se ky tender publik i Komunës së Prizrenit iu dha një “kompanie me targa të regjistrimit serb”. “Mbaji në arkiv të Vetëvendosjes, kjo është politika jote”, shtoi ai me zë të ngritur.

Ky debat është zhvilluar të enjten në mbledhjen e pestë të rregullt për vitin 2019 në Asamblenë komunale të Prizrenit.