Prizreni. Foto: KALLXO.com

Kallëzim penal ndaj zyrtarit të AAK-së për ‘zhdukjen’ e 3 laptopëve

Udhëheqësi i Zyrës Ligjore të Komunës së Prizrenit, Arben Krasniqi, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Administratës Publike, Ilir Baldedajt.

Në kallëzimin penal të dorëzuar në Prokurorinë e Prizrenit, Krasniqi pretendon se aktualisht asamblisti nga radhët e AAK-së (dhe këshilltar politik i Koordinatorit  Nacional  për Reformën Shtetërore, Besnik Tahirit), ka keqpërdorur pozitën e tij si drejtor, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete apo për personin tjetër.

Në kallëzimin penal thuhet se në periudhën në vitin  2015 në Prizren, i dyshuari Ilir Baldedaj në cilësinë e personit zyrtar – drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit në qeverisjen e Ramadan Mujës, kishte nënshkruar kontrata për blerjen e 43 laptopëve, ku 40 prej tyre u janë shpërndarë kuvendarëve e për 3 të tjerë nuk dihet se kujt i janë ndarë.

Sipas kallëzimit, Baldedaj ka nënshkruar kontratë për furnizime më 18.05.2015, në emër të Komunës për furnizimin me laptop dhe çanta të laptopëve për anëtarët e Asamblesë Komunale të Prizrenit në shumë e përgjithshme prej 19.350,00 euro.

Por Ilir Baldedaj ka mohuar kategorikisht këto pretendime të udhëheqësit të Zyrës Ligjore, duke thënë se ai vetëm ka zhvilluar procedurat e tenderimit që i kanë takuar si drejtor.

Në një prononcim për KALLXO.com, Baldedaj ka thënë se ka qenë një komision i themeluar edhe për pranim edhe për shpërndarje të këtyre laptopëve dhe se ai ka zhvilluar vetëm si procedurë kështu që ai s’ka të bëjë asgjë me atë çështje.

“Absolutisht nuk besoj që ka asnjë drejtor që merret me shpërndarje të laptopëve. Këtë e ka rregulluar komisioni i veçantë i themeluar për atë procedurë”, ka shtuar Baldedaj.

KALLXO.com në një hulumtim ka gjetur se asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët që i kanë marrë në shfrytëzim në mandatin e kaluar.

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Në mbledhjen e Asamblesë Komunale të datës 31 janar 2019, asamblistët e Komunës së Prizrenit kishin kërkuar sqarime nga drejtori i Administratës Publike, Osman Hajdari se kur do të pajisen me laptopë të rinj.

https://kallxo.com/asamblistet-e-prizrenit-kerkojne-laptope-te-rinj/

www.kallxo.com