Foto: Kallxo.com

Nesër Asambleja e Prizrenit diskuton për borxhin prej 20 milionë euro ndaj Komunës

Në raportin e vitit 2018 të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thuhet se Komuna e Prizrenit ka prezantuar gjendjen e llogarive të arkëtueshme prej 18 milionë e 932 mijë euro.

Në mbledhjen e 8-të të rregullt për vitin 2019 Asambleja Komunale  e Prizrenit pritet të diskutojë raportin për llogaritë e arkëtueshme apo borxhet që bizneset dhe qytetarët ia kanë Komunës.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, për KALLXO.com tha se ka formuar një komision prej tre ekspertësh të jashtëm, ekonomistë me përvoja të ndryshme në financat publike.

Sipas Haskukës, ky komision ka analizuar llogaritë e arkëtueshme të Komunës, i ka konstatuar shumat dhe të gjitha borxhet që palët e treta i kanë karshi Komunës dhe ka dhënë rekomandime se si të inkasohen këto borxhe.

“Ky borxh që kanë bizneset dhe personat tjerë ndaj Komunës është i trashëguar tash e 20 vite, pra nga viti 1999 e që arrin shumën gati 20 milionë euro”, tha Haskuka, i cili shtoi se u takon asamblistëve të Prizrenit të votojnë dhe të aprovojnë këtë raport që të vazhdohet me zbatimin e tij nga kabineti i kryetarit të Komunës dhe nga drejtoritë përkatëse.

Llogaritë e arkëtueshme janë obligime të painkasuara (të pambledhura) nga Komuna që rrjedhin nga Rregullorja për tatim në pronë dhe Rregullorja për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba nga shërbimet komunale.