Opozita largohet nga mbledhja e Asamblesë së Prizrenit - VIDEO

Largimi i opozitës nga Asambleja e Prizrenit, ka pamundësuar mbajtjen e mbledhjes së 8-të të rregullt për vitin 2019 në Prizren, ku nga 10 pika të Rendit të Ditës, ishin dy Raporte të Rëndësishme për Prizrenin që priteshin të votoheshin në këtë mbledhje.

Mbledhja që filloi me 36 asamblistë prezent në sallë, përfundoi e dështuar e vetëm 12 asamblistë që u larguan nga salla pa votuar për raportet dhe vendimet që ishin paraparë në rend të ditës.

Shqyrtim i raportit financiar të realizimi të buxhetit për periudhën janar – qershor 2019, dhe janar  – shtator 2019, si dhe raporti për llogaritë e arkëtushme apo borxhet që bizneset dhe personat tjerë i kanë ndaj Komunës, ishin dy Raporte për të cilat duhej aprovimi dhe votimi nga kuvendarët e Asamblesë, që të vazhdohej me zbatimin e këtyre dy Raporteve.

Në pjesën e parë të mbledhjes kur ishte koha e pyetjeve të kuvendarëve drejtuar drejtorëve të Komunës dhe kryetarit Haskuka, kishte tensione ndërmjet asamblistëve të Opozitës me drejtorët e Komunës.

Flet kuvendari i PDK-së në Prizren: Unë u sulmova dhe kam marrë lëndime trupore

Pas pauzës, ku pritej të vazhdonte mbledhja dhe të votoheshin pika e lartpërmendura, asamblisti i opozitës nga AAK Ilir Baldedaj tha se duke marrë parasysh që ekzekutivi e ka humbur shumicën dhe nuk e ka legjitimitetin për të udhëhequr Asamblenë Komunale, i njëjti paralajmëroi largimin e opozitës nga mbledhja.

AAK, PDK, dhe NISMA u larguan nga salla e Asamblesë Komunale, duke pamundësuar votimin për raportet që do të paraqiteshin.

Bojkoti që opozita po i bën mbledhjeve të Asamblesë Komunale ka filluar të bëhet i zakonshëm, pasi që opozita njëjtë kishin vepruar edhe në seancën e datës 25 shtator kur pritej votimi për buxhetin për vitin 2020 për Prizrenin.

Shkarkimi i drejtorit, NISMA del nga koalicioni me Haskukën

Nga subjektet opozitare i vetmi asamblist që vazhdoi të qëndronte në mbledhje ishte kuvendari nga NISMA Sinan Aliaj, i cili përkundër që subjekti i tij është larguar nga koalicioni qeverisës në Prizren, i njëjti po vazhdon të qëndrojë në mbledhje dhe po voton për pika të Rendit të Ditës, siç ka qenë me buxhetin për vitin 2020.

Haskuka apelon për votimin e buxhetit, paralajmëron për mundësinë e shpërndarjes së Asamblesë

Kallxo.com ka raportuar një ditë më parë se Raporti për Llogaritë e arkëtushme apo borxhet të cilat i kanë palët e treta ndaj Komunës së Prizreni, duhej të merrte votat e mjaftueshme që ekzekutivi i Komunës të zbatonte këtë raport, i cili parasheh inkasimin e borxhit që arrin shumën gati 20 milionë euro që bizneset dhe personat kanë ndaj Komunës së Prizrenit, borxh ky i akumuluar që nga viti 2000.

Nesër Asambleja e Prizrenit diskuton për borxhin prej 20 milionë euro ndaj Komunës

Në raportin e vitit 2018 të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thuhet se Komuna e Prizrenit ka prezantuar gjendjen e llogarive të arkëtushme prej 18 milionë e 932 mijë euro.