Dosja e Prokurorisë: Skema dhe përfitimet e grupit kriminal të arrestuar në veri e jug të Kosovës?

Tridhjetë e një persona u arrestuan gjatë kësaj jave nën dyshimet për organizim në grup kriminal, keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, tregti të ndaluar dhe shmangie të tarifave doganore.

Ndaj tyre, Gjykata e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim dhe nën këtë masë ata do të qëndrojnë deri më 28 qershor 2019.

KALLXO.com e ka siguruar dosjen e Prokurorisë në të cilën shpjegohen në detaje dyshimet për kontrabandim me mallra nga ky grup i pretenduar kriminal.

Në dosje thuhet se ky grup kriminal ka vepruar në mënyrë të organizuar dhe pjesë e tij kanë qenë  pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe qytetarë të cilët janë marrë me kontrabandë.

Sipas Prokurorisë, këta policë kanë qenë në detyrë në pjesën kufitare veriore të Kosovës, dhe duke mos vepruar kanë lejuar futjen e mallrave të ndryshme nga Republika e Serbisë.

Çmimet që merrnin policët për lejimin e futjes së mallrave të kontrabanduara sipas prokurorisë silleshin nga 20 deri në 200 euro.

Prokuroria pretendon se pjesëtarët e Policisë ishin të organizuar mirë dhe ishin marrë vesh se kur do të kalonin kontrabandistët e mallrave.

Në dosje thuhet se ata i shfrytëzonin rrugët ilegale për t’i futur mallrat e ndryshme si gjëra ushqimore, pije alkoolike, barna, dru e kafshë.

Sipas kësaj dosje, karakteristikë e këtij grupi kriminal ishte se pas vënies së taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, në nëntor të vitit të kaluar, ata menjëherë i kishin ngritur tarifat e kontrabandimit.

Në dosje thuhet se paratë mblidheshin në vende të ndryshme, në pompa të benzinës, në shitore të ndryshme e pastaj dorëzoheshin tek udhëheqësit.

Muaj më parë emisioni “Drejtësia në Kosovë”, transmetoi hulumtimet ekskluzive të cilat dëshmuan se kontrabanda në pjesën veriore të vendit vazhdon ta sfidojë taksën prej 100% të vendosur ndaj mallrave nga Serbia.

Rrjetet shqiptaro-serbe të kontrabandës në veri

Tridhjetë e një personat e arrestuar në lidhur me këto dyshime janë :

Albert Maxhuni, Ali Pllana, Abdurahim Hadzic, Biljana Nedeljkovic, Blagoje Lazovic, Bozidar Milosavljevic, Burim Merovci, Dejan Spasojevic, Jasna Durlevic, Krosto Subotic, Milija Milunovic, Oliver Kuzmanovic, Ramadan Mustafic, Resat Kuci, Zenel Bahtiri, Zvezdan Spasojevic, Ana Barac, Veroljub Dimitrijevic, Izet Uskovic, Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashri, Arbnor Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Jeton Morina, Sabri Isufi dhe Blagica Tomovic.