Një muaj paraburgim pesë të arrestuarve në aksionin në veri

Gjykata e Prishtinës njofton se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesë personave të arrestuar në aksionin e 13 tetorit në veri të Mitrovicës.

Masa e paraburgimit të  pandehurve I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D., u është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.

Paraburgimi u është caktuar për veprat penale organizim i grupit kriminal lidhur me veprat penale kontrabandim me mallra, shmangie nga tatimi dhe tregtia e ndaluar.

Gjyqtarja e procedurës paraprake masën e paraburgimit e ka caktuar pasi ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale.

Po ashtu gjykata ka gjetur se ekziston rreziku i ikjes së tyre si dhe nëse të njëjtit gjinden në liri, mund të fshehin, ndryshojnë, asgjësojnë ose falsifikojnë provat ose të ndikojnë në dëshmitarë ose bashkëpjesëmarrës.

Gjykata gjithashtu ka gjetur se nëse të pandehurit gjinden në liri mund të përsëris veprën penale, duke njoftuar se palët kundër këtij aktvendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.