Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shefi i Zyrë së BE-së në Kosovë arsyeton deklaratën e Borrell për aksionin anti-kontrabandë në veri

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se nuk sheh kundërthënie mes Raportit të Progresit dhe deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhënë gjatë aksionit anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës në veri më 13 tetor.

Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese veçanërisht në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka vlerësuar Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të publikuar të martën, kurse Borrell kishte kërkuar që të ndalet aksioni, duke i quajtur “të njëanshme” veprimet e ligjshme të Policisë së Kosovës.

Në anën tjetër, i pyetur për këtë çështje nga KALLXO.com, ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, në një konferencë për media tha se BE-ja nuk e vë në pyetje luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Nuk shoh kundërthënie në këto kërkesa dhe raporte, si dhe gjithashtu në deklaratën e lëshuar nga përfaqësuesi. Mendoj se si BE nuk e vëmë në pyetje çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo është diçka që e konsiderojmë si të rëndësishme dhe i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë dhe madje të intensifikojë përpjekjet në këtë drejtim”, tha ai.

Szunyog shtoi se për operacionin në veri ka pasur specifika që sipas tij kanë ndikuar që të dalë edhe deklarata e përfaqësuesit Borrell.

“Kur kemi pasur çështje me raste specifike ajo ka qenë propocianliteti i këtij operacioni dhe gjithashtu në aspektin e komunikimit të këtij operacioni. Këto kanë qenë dy çështje specifike që kanë ngritur pyetje në Bruksel dhe prandaj ka dalë edhe deklarata”, u shpreh ai.

Raporti i Progresit, vlerësim i kundërt me atë të Borrellit për veriun e Kosovës