Pamje nga operacioni i Policisë në Mitrovicë të Veriut - Foto: Kossev

Lista Serbe: Njësitë Speciale bastisën ilegalisht e brutalisht pronat në veri

Aksion ilegal e brutal e ka konsideruar Lista Serbe (LS) aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në 5 lokacione të ndryshme në lidhje me sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Përmes një postimi në facebook, Lista Serbe po pretendon që Policia e Kosovës i ka shqetësuar qytetarët.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, njësitet speciale të Kurtit, të cilat janë të pranishme ilegalisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, hynë brutalisht në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë dhe me atë rast rrënuan disa nga dhomat me forcë dhe brutalitet të tepruar” – thuhet në postim.

Sipas tyre kjo bastisje ‘ka penguar punën e punonjësve shëndetësorë dhe ka frikësuar pacientët që po i nënshtrohen trajtimit spitalor në këtë institucion’.

“Paralelisht me këtë bastisje, një bastisje brutale është bërë edhe në disa objekte private në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe ne ende jemi duke mbledhur të dhëna për këto bastisje” – thuhet tutje në postim.

Lista Serbe ka kritikuar edhe bllokimin e rrugëve nga njësitë policore gjatë bastisjeve që janë bërë, duke thënë se është penguar lëvizja.

“Gjatë këtij aksioni brutal të forcave speciale të Kurtit është bllokuar rruga që të çon në kopshtin e fëmijëve, përkatësisht në institucionin parashkollor “Danica Jaramaz” dhe shkollën fillore “Sveti Sava”. Mësuesit dhe edukatorët nuk mund të shkonin në vendet e tyre të punës, fëmijët ishin të tmerruar dhe prindërit e shqetësuar nuk lejoheshin t’i çonin fëmijët e tyre në kopsht ose në klasa”- thuhet tutje në reagim.

Sipas tyre qeveria Kurti po shfrytëzon ngjarjet e Banjskës për ‘keqtrajtim’ të serbëve.

“Është e qartë se regjimi i Kurtit tani po i shfrytëzon ngjarjet tragjike nga Banjska për të justifikuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë dhe Metohi, si dhe për të vazhduar keqtrajtimin e mëtejshëm të qytetarëve tanë”- thuhet tutje aty.

Ata nuk lanë pa kritikuar edhe EULEX, i cili sipas tyre vetëm ka vëzhguar.

“Duhet të theksohet se anëtarët e EULEX-it i kanë ndjekur të gjitha këto inkursione brutale nga një distancë prej dhjetëra metrash, absolutisht të painteresuar për të parandaluar keqtrajtimin e popullit serb apo për t’u përfshirë aktivisht dhe për të parandaluar veprimet ilegale të specialëve të Kurtit”- thuhet tutje.

Sipas tyre, ‘gjatë kësaj sjelljeje të paqytetëruar nuk kishte asnjë pjesëtar të KFOR-it’.

Lista Serbe ka kërkuar nga qytetarët serbë që të ruajnë gjakftohtësinë deri në ‘rikthimin’ e paqes në veri.

“Na mbetet t’u bëjmë thirrje qytetarëve që në këto kohë të çmendura të ruajnë gjakftohtësinë dhe të jenë me fëmijët e tyre, me shpresën se edhe një herë në këto zona do të mbretërojë paqja dhe se edhe serbët do të mund të bëjnë një jetë normale. të trajtohen pa u terrorizuar deri në dhëmbë”- thuhet tutje aty.

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacion në veri të Kosovës, në pesë lokacione të tri komunave.

Sipas Policisë, këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Kontrolle janë kryer edhe në pronat e nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Radioiqi sipas autoriteteve kosovare ka qenë prijësi i sulmit të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup terrorist nga Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Katër nga të arrestuarit janë liruar, për mungesë provash, njoftoi të mërkurën Prokuroria Speciale e Kosovës.

 

Policia në pronat e Millan Radoiçiq