Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Deklarata e Josep Borrell për aksionin e Policisë në veri, e njëanshme dhe e dëmshme

Qëndrimet e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, janë parë sikur qëndrime të palës serbe, pasi ky zyrtar më 13 tetor përmes një postimi në rrjetin social Twitter, kishe qortuar Kosovën për aksionin e policisë kundër kontrabandës e zhvilluar në disa komuna të vendit, përfshirë Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin.

Më 13 tetor, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës kishte nisur një aksion kundër kontrabandës.

Por, qytetarët në veri të Kosovës e kundërshtuan këtë aksion policor, ndryshe, në reagime qytetare nuk pati në Prishtinë, Gjilan, Pejë e Mitrovicë e Jugut.

Nga ky aksion ishin arrestuar tetë persona nga ta gjashtë shqiptarë, një serb dhe një boshnjak. Kurse ishin lënduar gjashtë polic, një prej tyre serb.

Për këtë kishte reaguar Josep Borrell duke shkruar se incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë duke e quajtur aksionin e policisë të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, shkroi Borrell në Twitter.

Kjo deklaratë e Borrell, pati shumë kundërshtime dhe shkaktoi reagim të gjerë. Madje Borrell nga njohësit politik, u vlerësua si palë në dialogun Kosovë – Serbi e jo si ndërmjetësues.

Deklarimi i Borrell, u pa edhe si trimërim i forcave destruktive që kundërshtojnë vendosjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Kosovës.

Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve politike, ka thënë për KALLXO.com se Bashkimi Evropian nuk e njeh shtetin e Kosovës, pavarësinë e Kosovës dhe me këtë logjikë, sipas tij, deklaratat që i japin publikisht zyrtarët e BE-së duhet të shihen në këtë rrafsh.

“Për fat të keq deklarata e Borrellit për aksionin, jo vetëm në veri të vendit por ai ishte i fokusuar më shumë në veri, thjeshtë tingëllonte që po thuhej nga një zyrtar i Beogradit. Borrell nuk foli në cilësinë e një përfaqësuesi të BE-së, pra nuk foli si ndërmjetës ose lehtësues i një organizate i një institucioni që e lehtëson dialogun, por foli si palë e për fat të keq foli si pala serbe”, tha Mushkolaj.

Ai konsideron se është qesharake se si në Raportin e Progresit potencohet që Kosova duhet të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar e në rastin e aksionit në veri Borrell del kundër.

Sipas Mushkolajt, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, është ndër aktivitetet kryesore për vendet të cilat duhet t’i përmbushin kriteret për t’u bërë anëtare e BE-së.

“Është shqetësuese një deklaratë e tillë duke e pas parasysh se BE, sidomos në raportet e shteteve, ato që janë quajtur më herët Raporte të Progresit, e potencon se Kosova ka problem me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duhet t’i luftoj këto dy fenomene, ndërkohë që në një aksion që ka për qëllim luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kontrabandës, BE del kundër dhe në fakt tingëllon edhe qesharake”, tha ai.

Sa i përket dialogut Mushkolaj tha se deklarata e Borrell, më shumë e dëmton kredibilitetin edhe ashtu të dëmtuar të BE-së, se sa dialogun.

Për deklaratën e Borrell, ka reaguar po ditën e njëjtë në Twitter, shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi. Ai i është përgjigjur Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell i cili ka kërkuar që të mos ketë veprime të pakontrolluara dhe të njëanshme në veri.

Dalipit kishte thënë se luftimi i krimit dhe kontrabandës është kompetencë e shtetit sovran.

“Andaj, askush, dhe në veçanti asnjë zyrtar i nivelit të lartë të BE-së, nuk duhet të përpiqet ta bëjë këtë problem politik apo etnik, dhe asnjë koordinim bilateral s’është i rëndësishëm në këtë rast, sepse luftimi i krimit dhe kontrabandës është kompetencë tipike e një shteti sovran”, ka shkruar Dalipi në Twitter.

Kurse, Mushkolaj konsideron se pala kosovare do të duhej të kërkonte sqarim nga BE-ja.

“Konsideroj se pala kosovare, në këtë rast Qeveria, është dashtë të reagoj publikisht me letër proteste dhe t’ia bëjë të qartë Borrellit se me këtë qasje, ai ose BE, nuk mund të jenë një ndërmjetës i paanshëm në dialog, ose një lehtësues i paanshëm, për shkak se përnjëmend deklaratat që dolën nga Borrell e vendosin BE-në si palë në dialog, pra në një anë Kosova dhe në anën tjetër Serbia dhe BE”, tha Mushkolaj.

Përkundër që duhet të kërkohet sqarim për deklaratën, Mushkolaj vlerëson se të tillat e trimërojnë Beogradin, e trimërojnë Vuçiqin në marrjen e veprimeve të tjera qoftë edhe verbale.

“Ne patëm rastin konkret kur ai nga deklarata e tillë u trimërua ndërkohë që u zmbraps kur u bënë publike deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s që ishin në linjë me Qeverinë e Kosovës në kuptimin e ndërmarrjes së një aksioni brenda territorit të vet bazuar në Kushtetutë dhe ligjet e veta”, shtoi Mushkolaj.

Edhe analisti Shemsi Jashari, tha për KALLXO.com se deklarata e djeshme e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, pas operacionit anti-kontrabandë të zhvilluar nga Policia, Dogana dhe institucione tjera të inteligjencës, ka qenë e pa pritshme dhe shumë e njëanshme dhe e ndikuar drejtpërdrejt nga Beogradi.

“Borrell ka dalur nga mandati i tij dhe ka lënduar shumë kredibilitetin e tij si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi. Qëndrimi dhe reagimi i djeshëm i Borrell nga pozicioni që ka si ndërmjetësues, tregon se ai ka qëndrim për statusin e Kosovës që është i njëjtë me Beogradin dhe se del kundër qëndrimit të BE-së, si neutral ndaj statusit të Kosovës. Me këtë qëndrim ka dëshmuar se nuk është kredibil dhe si i tillë nuk do të duhej të vazhdonte misionin që ka si ndërmjetësues”, tha Jashari.

Ai beson se duke qenë i njëanshëm Borrell, haptazi dëmtohet procesi i dialogut.

“Tashmë s’mund t’i besohet se ai i trajton dy palët njëjtë dhe pala Kosovare duhet të ketë qëndrim refuzues për të si përfaqësues i BE në procesin e dialogut. Pas këtyre deklaratave, Qeveria e Kosovës duhet që urgjentisht të kërkoj sqarime nga BE për të ditur qëndrimin e tyre qartas a ka folur si ndërmjetësues apo si individ”, tha ai.

Jashari thotë se pasi ky qëndrim haptas favorizon Serbinë, është e rëndësishme që pala kosovare, të kërkoj ndërrimin e tij ose të kërkoj rol shtesë të palës amerikane në këtë dialog.

“Pala kosovare duhet të analizoj mirë hapat para se të veproj tutje në dialog pasi është e pazakontë që përfaqësuesi i BE të dal kundër luftës së krimit të organizuar dhe kontrabandës në tërë territorin e Kosovës”, tha ai.

KALLXO.com, ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës se si e shohin këtë deklaratë dhe sa mundet BE, të jetë ndërmjetësues korrekt politik në dialogun Kosovë – Serbi duke pasur këso qëndrime, por ende nuk kanë kthyer përgjigjeje.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ditë më parë, tha se të tilla aksione në Kosovë ka për çdo ditë.

“Sa i përket Borrellit, aksione të tilla kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, ne kemi gati për çdo ditë. Policia e Kosovës ka pasur një aksion jashtëzakonisht të suksesshëm ku është arrestuar një falsifikator i faturave të ndryshme me 17 vula të ndryshme false. Nacionaliteti i tij është turk. Tash a është dashur edhe ne ta lajmërojmë dikë apo të koordinohemi me dikë për aksionin tonë?. Ky aksion ka qenë puro kundër kontrabandës që është një plagë që po kullon në financa për çdo ditë për shtetin dhe qytetarët e varfër të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tutje, ai tha se është qasje e gabuar të mendohet se duhet bashkëpunuar me Beogradin, për ta luftuar krimin dhe kontrabandën.

“Nëse dikush mendon se ne duhet që të koordinohemi me Beogradin që të godasim ata të cilët Beogradi po i mbron në krim, atëherë mendoj që është një qasje e gabuar”, ka thënë Sveçla.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e BE-së për të na zbërthyer se si të kuptohet deklarata e Borrell.

Zyra e BE-së, përmes një përgjigje drejtuar KALLXO.com, ka treguar se kanë mbajtur konferencë për ta mbuluar çështjen më gjerësisht.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në konferencë kishte thënë se deklarata e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për situatën në veri të Kosovës, duhet të shihet në kontekst më të gjerë dhe se e njëjta nuk ka të bëjë me atë aksion specifik të Policisë.

“Reagimi i Borrell nuk mund të reduktohet vetëm me aksionin e policisë që synim kishte luftimin e krimit dhe korrupsionit. Reagimi ishte i lidhur me një çështje më të gjerë që është simptomatike dhe shfaqet nga koha në kohë në këtë pjesë të veçantë të Kosovës”, tha Stano.

Ai tha se ka një praktikë të koordinimit të dërgimit në veri të Policisë së Kosovës me faktorin ndërkombëtar.

“Çështja është se kur njëra palë vendos të bëjë diçka në një territor specifik si veriu i Kosovës, atëherë, ju supozoni se nuk ka marrëveshje të parandalimit të autoriteteve për të kryer operacione në jug apo veri. Por është praktikë e zakonshme, koordinimi me faktorin ndërkombëtar dhe KFOR-in dhe po ashtu informimi i palës tjetër, në mënyrë që të shmangen reagimet e njerëzve, sikur që ngjau dje”, kishte shtuar Stano.

Deklarata e Borrell nuk u la pa u komentuar edhe nga Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon dhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.

“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i ka reaguar përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Përsëri BE-ja tregoi paaftësinë e saj në lidhje me Kosovën. Borrell de facto, duke i kërkuar policisë të mos dalë kundër kontrabandistëve, nëse do të kishte marrë mundimin të njihej me realitetin në veri të Kosovës, do të kishte ditur se veriu drejtohet nga banda kriminale dhe nuk është kurrë herët për të dalë kundër tyre. Pra, edhe nëse është reagimi i dhunës, ai duhet ta lavdërojë atë”, ka shkruar ish-ambasadori në një postim në Facebook.

Vlerësimi i opozitës për aksionin në veri dhe deklaratën e Borrell

Opozita aksionin e policisë së Kosovës e ka quajtur aksion për fushatë elektorale.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, tha për KALLXO.com se nuk i bënë mirë Kosovës fillimi i linçimit të personit në fjalë, i cili është i ngarkuar për t’u marr me çështjet e dialogut.

“Ai mund të ketë qenë i keq informuar nga kanale të shpejta të diplomacisë serbe dhe mund të jetë lajthitur me deklarata që ia kanë thënë ata. Sidoqoftë unë e mbështes luftën kundër krimit të organizuar në veri, në jug, në çdo cep të Kosovës, sepse kjo është detyrë e jona e shtetit, e organeve të shtetit, por mendoj që koha nuk ka qenë e përshtatshme sepse jemi në fushatë elektorale”, tha ai.

“Unë e thash që ky është aksion elektoral, janë edhe tri ose katër ditë zgjedhjet edhe po përpiqen ta tregojnë forcën në veri. Me përkthyer politikisht këtë aksion, unë di ta përkthej ndoshta me qenë në pozitën e kryeministrit edhe unë kisha me vepru kështu nëse e kisha qëllim kush do të zgjidhet kryetar i Mitrovicës”, tha Haliti.

Ai vlerësoi se veprimet nganjëherë edhe pse duken të mira për një palë ose një tjetër, janë bërë të pa suksesshme dhe duhet që tjera herë të organizohen aksione më mirë dhe mos të ketë mundësi me dekonspiru askush.

Edhe lideri i AAK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria sqarim për kryerjen e këtyre operacioneve në kohë fushate.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook, tha se duan të besojnë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Ndërkaq ka kërkuar sqarime për momentin e kryerjes së këtyre aksioneve.

“Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve. Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale. Në mbështetje të Policisë së Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, ish-negociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë,  Skënder Hyseni ka reaguar ndaj deklaratës së përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell duke u shprehur se Borrell me apo pa vetëdije, “u vu në mbrojtje të krimit në një pjesë të Kosovës”.

“Borell, me deklaratën e tij të pakuptimtë rreth veprimeve operative të organeve të drejtësisë së Kosovës në veri, me apo pa vetëdije, u vu në mbrojtje të krimit në një pjesë të vendit tonë. Tërësisht e papranueshme, kjo deklaratë ishte si ‘një  referim penalltie kundër Kosovës, 25 metra larg portës, në minutën e nëntëdhjetë të lojës’”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Sipas Hysenit, Borell nuk mund të sillet sikur të ishte prokuror apo komandant policie në Kosovë.

Më 13 tetor Policia e Kosovës ndërmori aksion anti-kontrbandë nëpër disa rajone të Kosovës, përfshirë veriun e Mitrovicës. Por të njëjtit u sulmuan nga dhjetëra serbë në atë pjesë.

Pas përfundimit të aksionin të Policisë gjatë ditës kishte shkruar edhe kryeministri I Kosovës, Albin Kurti.

“Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës. Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, tha Kurti

Sipas tij krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen.

“Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa mediave në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, kishte përfunduar Kurti.