Murati: Pajisjet e konfiskuara për prodhim të kriptovalutave shpenzojnë rrymë 60 deri 120 mijë euro në muaj

Minstri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se 272 pajisjet për prodhim të kriptovalutave të cilat u konfiskuan sot në Leposaviq shpenzojnë energji elektrike sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive.

Murati ka thënë se me çmimet aktuale të importit këto pajisje shpenzojnë energji elektrike në vlerë prej 60 mijë deri në 120 mijë euro në muaj.

“Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka shkruar Murati në Facebook.

Policia e Kosovës sot ka organizuar një aksion gjatë të cilit janë konfiskuar 272 paisje për prodhim të kriptovalutave dhe është arrestuar një person.

Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte marrë vendim lidhur me ndalimin e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente me furnizim me energji në të cilën ndodhet Kosova.

Ditë më parë Policia e Kosovës kishte konfiskuar tre aparate për prodhim të kriptovalutave në Podujevë.

Kallxo Pernime kishte publikuar hulumtimin se si në katër komunat veriore është duke lulëzuar veprimtaria e prodhimit të kryptovalutave përmes pajisjeve teknologjike të cilat shpenzojnë sasi të madhe të energjisë elektrike.

Më poshtë mund ta gjeni emisionin e plotë që është publikuar në maj të këtij viti.