Shtatorja e Nënë Terezës në Tiranë - Foto: Wikimedia

Dita e Shenjtë

Në Vatikan sot do të zhvillohet ceremonia e shenjtërimit të humanistes shqiptare – Gonxhe Bojaxhiut, e njohur në botë si Nënë Tereza.

Shenjtërimi i shqiptares së lindur në Shkup ndodhë nëntëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së saj.

Ikona botërore e luftës kundër varfërisë do të shpallet sot e shenjtë gjatë një meshe që do të drejtohet nga papa Françesku.

Nga sot Nënë Tereza do të quhet Shën Tereza.

Humanistja shqiptare e përmasave botërore gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të më të varfërve. Për gjysmë shekulli ajo u doli në ndihmë të varfërve, të sëmurëve e jetimëve në Kalkutë.

Në meshën e shenjtërimit të saj në oborrin e bazilikës Shën Pjetri do të jenë të pranishëm së paku 100,000 njerëz, përfshirë krerë shtetesh, përfshirë edhe ata nga Kosova.

Ceremonia e shenjtërimit dhe mesha e festës së Shenjtores Tereza do të transmetohet nga qindra televizione nga e gjithë bota.

Gjatë një predikimi të shtunën në mëngjes në sheshin Shën Pjetri, papa Françesku ka thënë se Nënë Tereza e “meriton” shenjtërimin.

E ngritur nga papa Benedikti XVI, çështja e shenjtërimit është riaktualizuar nga kreu aktual i Kishës Katolike, i cili në Nënë Terezën sheh mishërimin e idealit të saj për një “Kishë të varfër për të varfrit”.

E lindur më 1910 në një familje shqiptare në Shkup, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu kishte shkuar në Kalkutë, ku gjithë jetën e saj do t’ua kushtonte të varfërve, të sëmurëve e jetimëve. Në këtë qytet të Indisë ajo do të ndërronte jetë më 5 shtator 1997.

Për punën e saj humanitare, Nënë Tereza qe shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe më 1979.

Më 1950, në Indi ajo kishte themeluar urdhrin “Misionaret e bamirësisë“, i cili sot përbëhet nga 5,000 murgesha, të cilat jetën e tyre ua kushtojnë më të varfërve dhe njerëzve në nevojë.

Nënë Tereza, Murgesha që Frikësoi Komunistët e Shqipërisë