Foto: Kallxo.com

Nënë Tereza, Murgesha që Frikësoi Komunistët e Shqipërisë

Shqipëria po fiton krenari të madhe nga fakti që Kisha Katolike do të shpallë shenjtore më 4 shtator, murgeshën misionare Nënë Tereza. Megjithatë, vendi i saj i origjinës nuk ka qenë gjithmonë kaq entuziast për arritjet e saj.

Dokumente të siguruara nga BIRN-i zbulojnë se regjimi komunist i Shqipërisë e spiunoi murgeshën me banim në Indi, pasi e konsideroi atë të rrezikshme dhe mendoi se Vatikani e kishte promovuar për të dëmtuar Shqipërinë.

Dokumentet e Arkivit Kombëtar Shqiptar tregojnë armiqësinë e zyrtarëve ndaj saj për vite të tëra.

E lindur në Shkup të Maqedonisë nga prindër shqiptarë të Kosovës, murgesha u vendos në radarët e regjimit komunist në fillim të 1980-ës.

Nevila Nika, ish-drejtoreshë e përgjithshme e Arkivit dhe pedagoge në Universitetin Evropian të Tiranës i tha BIRN-it se komunistët filluan të merren me të pasi ajo fitoi çmimin Nobel në dhjetor 1979.

“Gjatë ceremonive të mbajtura për çmimin në Norvegji, ajo shpalli haptazi origjinën e saj shqiptare në një kohë kur Shqipëria ishte bërë vendi i parë në botë që kishte ndaluar fenë,” theksoi Nika.

Pasi kishte vrarë dhe persekutuar klerikët e vendit, më 1967 diktatori komunist, Enver Hoxha vendosi të ndalojë totalisht fenë.

Komuniteti katolik mori goditjen më të rëndë. Ndërkohë që pak klerikë ia dolën të largohen, shumë të tjerë u burgosën nga sistemi dhe u ekzekutuan.

Pas vitit 1967, kishat dhe xhamitë u kthyen në zyra, qendra sportive, muze apo vende të punës.

Nika beson se komunistët ia kishin frikën lartësimit të Nënë Terezës në një figurë ndërkombëtare, duke menduar se mund të shkaktonte presion mbi ta për të lehtësuar trajtimin e ashpër ndaj katolikëve të Shqipërisë.

“Ndërsa Nënë Tereza nderohej nëpër botë, shqiptarët nuk e dinin se çfarë po ndodhte. Asnjë nga qytetarët nuk e njihte atë, apo ç’ka ajo kishte bërë për të fituar një çmim të tillë. Por lidershipi komunist e dinte mirë dhe ata nuk mund ta nënvlerësonin atë më gjatë,” tha Nika.

E spiunuar nga regjimi

Një raport dikur i klasifikuar, i dërguar nga ministri i Brendshëm tek ish-kreu i Presidiumit të Asamblesë Popullore, Ramiz Alia në qershor 1982 përmend rrezikun nga aktivitetet e Nënë Terezës.

Dokumenti i lexuar nga BIRN-i thekson “aktivitetet armiqësore të Vatikanit ndaj Shqipërisë” dhe e përmend atë si komplotiste kundër regjimit.

Me frikën se ajo propagandë fetare mund të importohej në mënyrë sekrete nga Kosova në Jugosllavi, zyrtarët shqiptarë u vunë në alarm mbi aktivitetet e prezumuara të Nënë Terezës.

“Murgesha kosovare, Tereza Bojaxhiu, në mars të këtij viti organizoi një takim në Romë, në të cilin morën pjesë 70 priftërinj shqiptarë dhe kosovarë mes emigrantëve të vendit tonë,”shkruhet në dokumentin e qershorit 1982.

“Ne po i ndjekim këto aktivitete armiqësore kundër vendit tonë dhe kemi marrë masa të mëtejshme për t’u njohur me situatën, duke forcuar punën tonë,” përfundon dokumenti.

Nika beson se komunistët ishin veçanërisht të alarmuar pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë më 1981, kur shqiptarët etnikë kërkuan krijimin e një republike brenda Jugosllavisë.

“Ata panë kurajën e studentëve dhe qytetarëve të Kosovës kundër status quo-së dhe ndjenë se një ditë, e njëjta gjë do të ndodhte në Shqipëri,” tha ajo.

Në nëntor 1982, Nënë Tereza u përmend sërish në dosjet sekrete të Ministrisë së Brendshme, dërguar zyrtarëve të lartë të regjimit komunist.

Në raportin e nëntorit 1982, ajo u akuzua se bënte pjesë në aktivitetet armiqësore kundër vendit.

“Vatikani dhe Papa Vojtila [John Paul II] janë duke e përdorur personalisht dhe gjerësisht murgeshën Tereza Bojaxhiu për aktivitete propagandistike kundër vendit tonë,” thuhet në raport.

Theksohet gjithashtu se asaj i ishte dhënë çmimi italian “Torri Merlate” në maj 1982, medalja “Marquette” nga një universitet katolik në Shtetet e Bashkuara më 1981 dhe titulli “Doctor” nga universiteti i Georgetown.

Me ndihmën e Vatikanit, një prift kosovar i quajtur Lush Gjergji kishte publikuar gjithashtu librin “Nëna jonë Tereza”, në të cilin ajo ishte quajtur “përfaqësuese e dëshirave të të gjithë shqiptarëve në botë”.

Ndërkohë, RAI në Itali, në bashkëpunim me organizatën e filmit Jadran në Zagreb po “realizonin një film për jetën e saj,” shkruhet në dokumentet sekrete.

Në dosje shprehen shqetësime mbi udhëtimet e saj të vazhdueshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara dhe takimet e saj me presidentë të vendeve më të fuqishme të botës.

“Gjatë këtyre udhëtimeve, ajo ka frekuentuar gjithashtu mjedise të atyre që janë arratisur nga Shqipëria….në Itali dhe me emigrantë shqiptarë dhe kosovarë. Në një intervistë të dhënë për revistën kosovare ‘Drita’, ajo bëri sulme të drejtpërdrejta ndaj vendit tonë, duke thënë ‘Kisha në Shqipëri është duke përjetuar një të premte të zezë, duhet të ngrihet sërish pasi vendi ynë nuk mund të harrojë,” shkruhet në dokument.

Kthesa e çuditshme e marrëdhënieve

Nika e konsideron shqetësimin e komunistëve ndaj Nënë Terezës si krejt të kuptueshëm për atë kohë.

“Pavarësisht se Nënë Tereza thoshte që nuk ishte e përfshirë në politikë, ajo ishte një politikane e jashtëzakonshme dhe e rafinuar dhe avokate e madhe e lirisë. Sigurisht që ata ishin të frikësuar prej saj, pasi ajo e dinte se si liritë në Shqipëri ishin shtypur në nivel institucional dhe personal,”tha Nika.

Në vitet 1970, pasi nëna e saj Drane dhe motra Age Bojaxhi vdiqën në Tiranë, ajo shpenzoi vite me kërkesa ndaj autoriteteve shqiptare që ta lejonin atë të vinte të vendoste lule në varret e tyre.

Pasi kërkesat u refuzuan në mënyrë sistematike, ajo që ndodhi në gusht 1989 ishte një surprizë: atë muaj ajo u lejua të hynte në Shqipëri në një vizitë që ata e quajtën private-thuajse një vit e gjysmë para se regjimi të rrëzohej.

“Nuk është e qartë se çfarë e detyroi liderin e ri të komunistëve, Ramiz Alia të lejonte Nënë Terezën të hynte në vend-me shumë gjasë ishte situata e vështirë ekonomike me të cilën përballej vendi. Ndoshta Alia mendoi se ajo mund të siguronte ndihma humanitare,” thotë Nika.

Edhe pse zyrtarët komunistë e pritën atë në vizitën e parë të saj, Alia refuzoi ta lejonte që të hapte urdhrin e saj në Shqipëri.

Pavarësisht kësaj, më 1 dhjetor 1990, vetëm pak ditë pas shpërthimit të protestave studentore kundër regjimit, qeveria e nderoi atë me Dekoratën “Naim Frashëri” me motivimin e kontributit të çmuar ndaj njerëzve në nevojë.

“Shqiptarët janë krenarë për vajzën e tyre të madhe dhe të nderuar,” lexohet në tekstin që shoqëron dekoratën.

“Sigurisht, komunistët nuk e ndjenin të nderonin Nënë Terezën, por ata e bënë. Kjo është një provë tjetër e personalitetit të saj të shquar, diplomacisë dhe aftësisë në arritjen e objektivave të saj. Në fund, ajo ia doli madje edhe kundër komunistëve,” u shpreh Nika.