Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ambasadori britanik falënderon Kosovën për pritjen e afganëve, citon Nënë Terezën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka njoftuar se ka vizituar refugjatët afganë që po qëndrojnë në Kosovë, në afërsi të kampit ushtarak amerikan Bondsteell në Ferizaj.

Abbott ka falënderuar popullin e Kosovës për strehimin dhe pritjen e tyre.

Diplomati ka cituar thënien e humanistes shqiptare Shenjtores Nënë Tereza – “Nëse nuk mund të ushqeni njëqind njerëz, ushqejeni vetëm një”.

“Dje vizitova të evakuuarit afganë të lidhur me NATO-n, duke u kujdesur përkohësisht në Kosovë nga trupat britanike nën komandën e NATO-s, ndërkohë që janë bërë aranzhime për udhëtimet e tyre të mëtejshme. Ata kanë kaluar një përvojë traumatike dhe vazhdojnë të tregojnë durim dhe këmbëngulje. Dëshiroj edhe një herë të falënderoj qeverinë dhe popullin e Kosovës për mbështetjen tuaj dhe për mikpritjen e tyre të ngrohtë. Ndërsa njerëzit në Kosovë festojnë përvjetorin e kanonizimit të Nënë Terezës, më kujtohen fjalët e saj: ‘nëse nuk mund të ushqeni njëqind njerëz, ushqeni vetëm një’”, ka shkruar ai në Facebook.

Dhjetëra qytetarë afganë janë strehuar javë më parë në Kosovë, pasi ushtria amerikane u tërhoq nga Afganistani dhe vendi tashmë kontrollohet nga talebanët.