Krerët institucional bëjnë homazhe te shtatorja e Nënë Terezës

Krerët e institucioneve shtetërore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë bërë homazhe te shtatorja e Nënë Terezës në Prishtinë, me rastin e përvjetorit të vdekjes së saj.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se janë këtu për të përkujtuar Nënë Terezën e cila sipas saj dha shembull për gjithë botën jo vetëm për popullin shqiptar.

“Sot përkujtojmë me shumë krenari gjithë veprën e saj, gjithë misionin e saj dhe shembullin që dha pas për gjeneratat që vijnë duke tregu se janë dashuria, respekti dhe ndihma ndaj të tjerëve që duhet gjithnjë të jenë dritë udhërrëfyese në punën tonë të përditshme”- tha Osmani.

Kryeministri Albin Kurti, tha se jeta e Nënë Terezës është vepër për gjithë njerëzimin dhe shembull për njeriun.

“Nga një bijë e popullit tonë ajo u bë nëna e gjithë botës. Nënë Tereza dha gjithçka nga vetja e saj dhe nuk i morri asgjë botës. Ajo afirmoi edhe kombin tonë sepse sakrifica është vlerë tradicionale e popullit shqiptar”- deklaroi Kurti.

Ndërkaq, kryekuvendari Glauk Konjufca tha se po e nderojnë dhe po e kujtojnë simbolin e rëndësishëm të kombit shqiptar por, edhe të mbarë botës.

“Shembulli i saj ka inspiruar miliona njerëz anë e mbanë botës. Shën Tereza kurrë nuk e harroj popullin shqiptar ajo ka qenë pranë popullit tonë në ditët më të vështira edhe te udhëheqësit më të mëdhenj botëror edhe kur ka qenë nevoja e ka ngritur çështjen tonë”- tha Konjufca.