Kombet e Bashkuara nderojnë Nënë Terezën me pullë postare

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Kjo thënie e Nënë Terezës, do të shtypet në pullat postare të Kombeve të Bashkuara.

Kështu ka vendosur Administrata Postare e Kombeve të Bashkuara duke bërë thirrje që kjo pullë të përdoret dhe mesazhi i fortë i saj të qarkulloj edhe më tej nëpër botë.

Përmes rrjetit Twitter, Kombet e Bashkuara potencojnë se me anë të kësaj pulle po nderojnë trashëgiminë dhe jetën e Nënë Terezës.

“Administrata Postare e Kombeve të Bashkuara po nderon jetën dhe trashëgiminë e nobelistes Nënë Tereza, për përpjekjet e saj të palodhshme në emër të njerëzve më të ndjeshëm në botë”, thuhet në njoftim.

Thënia që u përdor në pullë postare “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, është ndër postulatet e shumta të urtësisë së humanistes e nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu e mirënjohura globalisht si Nënë Tereza.