Foto: KALLXO.com

Destani: Diaspora foli sa herë vendi pati nevojë

Lazim Destani, drejtor gjeneral i Ecolog International në Kuvendin e Kosovës tha se diaspora foli sa herë kombi pati nevojë.

“Diaspora ka folur sa herë që kombi ka pasur nevojë. Unë tashmë e 35 vite veproj në diasporë i kam përjetu zhvillimet tona gjithandej”, tha Destani.

Ai konstatoi më tutje se “sot diaspora paraqet fakt të rëndësishëm kombëtar”.

Destani foli për diasporën në ditën kur Kuvendi i Kosovës hapi dyert për të dhe kur organizata Germin po organizon takimet “Diaspora Flet 2018”.

Në Kuvend foli edhe Brikena Muharremi, avokate dhe anëtare e Bordit të Organizatës Germin si dhe udhëheqëse e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë.

Muharremi tha se diaspora duhet të shihet si potencial i zhvillimit ekonomik.

“Diaspora duhet të shihet si partner i zhvillimit të vendit. Të gjithëve duhet të na bashkojë një qëllim zhvillimi i vendit”, tha Muharremi.

Në fund të seancës për diasporën në Kuvendin e Kosovës u bë një foto e përbashkët e të pranishmëve.

Edhe “Jeta në Kosovë” emisionin e mbrëmshëm ia kushtoi diasporës.