Nga konferenca e publikimit të raportit të monitorimit të sistemit të drejtësisë 2015. Foto: Kallxo.com

Dështimi i Institucioneve të Drejtësisë në Luftën Kundër Korrupsionit

“Lufta kundër korrupsionit edhe pse e shpallur si prioritet nga institucionet e drejtësisë, në praktikë është vështirë të vërehet” thuhet në Raportin e Monitorimit të Gjykatave të publikuar nga BIRN dhe Internews Kosova.

Gjatë vitit 2015, BIRN dhe I/KS ka vazhduar të ketë fokus të veçantë në seancat gjyqësore që kanë të bëjnë me veprat penale të Korrupsionit Zyrtar dhe Kundër Detyrës Zyrtare, të parapara në kapitullin XXXIV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. BIRN ka monitoruar 207 lëndë të tilla.

Raporti vë në pah raste të cilat vazhdojnë të mbesin të patrajtuara në prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës, aq më tepër raste të tilla edhe parashkruhen dhe hidhen poshtë pa u ndëshkuar kryesit e veprave penale.

Megjithëse Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (SKGJK) ka deklaruar se nuk ka lëndë të parashkruara nëpër gjykatat e Kosovës, ekipi monitorues i BIRN-it ka identifikuar së paku 22 raste të tilla për vitin 2014- 2015.

BIRN ka marrë përsipër identifikimin e këtyre rasteve duke siguruar informata për lëndët e parashkruara të korrupsionit për secilën gjykatë veç e veç, për periudhën vjetore 2014-2015. Kështu janë evidentuar të paktën 22 raste që kanë arritur parashkrimin nga kapitulli i veprave penale të korrupsionit.

gjykatat

Raporti i Monitorimit ka paraqitur disa nga rastet konkrete të cilat kanë arritur parashkrimin/ vjetërsimin e lëndëve duke bërë që kryesit potencial të mbesin pa u gjykuar.

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, në rastin PP.nr 156/2012 të akuzuar ishin Xhevat Bislimi, atëbotë nënkryetar i Komunës së Vitisë dhe Abdulla Emini, zyrtar i prokurimit publik në Viti.

Dy të pandehurit, akuzoheshin se në janar të vitit 2009 në pozitat përkatëse kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Duke mos i respektuar procedurat e rregullta të tenderimit, me qëllim që zyrës projektuese “Geodesy Projects”, t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore.

I akuzuari Bislimi ka lidhur marrëveshje për hartimin e projektit për kanalizim, për ujërat fekale për rrugët “Flaka e Janarit” “Elena Gjika”, “Iliria”, “Hoxhë Jonuzi” dhe një pjesë të shtratit të lumit Morava e Binçës, duke lejuar pagesën e punëve te pakryera në shumën prej 3 mijë e 28 euro.

Edhe pse i pandehuri Emini, si zyrtar i prokurimit publik ka qenë i obliguar që ta ndalojë këtë veprim, sipas prokurorisë ,ai nuk ka vepruar, kështu që komuna e Vitisë është dëmtuar materialisht. Edhe përkundër kësaj, të dy të akuzuarit kanë mbetur pa u gjykuar për shkak të parashkrimit të kësaj lënde.

http://kallxo.com/ish-nenkryetarit-te-vitise-i-vjetrohet-lenda/

BIRN ka arritur të kuptojë, se kurrfarë masash nuk janë ndërmarrë ndaj zyrtarëve të cilët kanë lejuar me ose pa qëllim që ky gjykim të mos mbahet kurrë. Për më shumë, SKGjK as nuk e di që kjo lëndë është parashkruar.

Në një rast tjetër të prezantuar në raport, Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të kësaj komune: Qazime Vata, Agim Dërguti, Afërdita Bibaj dhe Xhavit Topalli, që akuzoheshin se më 21 dhjetor 2010, në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtarë dhe atë, e pandehura e parë në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrit dhe Gjeodezisë, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërtimin nr.2004/15, ka formuar komisionin për pranimin teknik të objektit banesor “Centrum II”.

Kurse të pandehurit tjerë, në cilësinë e anëtarëve të komisionit pranë drejtorisë së urbanizmit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për personin tjetër nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Kjo ka bërë që komisioni për pranimin teknik për objektin banesor, në bazë të vlerësimit të tyre, ka dhënë propozim për lëshimin e vendimit për pranim teknik dhe përdorimin e objektit në kundërshtim me lejen e ndërtimit.

Gjykata Themelore e Ferizajt, për këtë rast që mbante numrin e lëndës PKR.68/15 mori aktgjykim me të cilin ndaj katër zyrtarëve komunalë të Ferizajt, të refuzohet aktakuza, meqë është konstatuar se për veprën penale për të cilën ata ngarkoheshin sipas aktakuzës, është arritur parashkrimi absolut, andaj është pushuar procedura penale ndaj tyre.

http://kallxo.com/lirohen-nga-akuza-zyrtaret-e-komunes-se-ferizajt/

Ndërsa në rastin me numër të lëndës Pkr.32/14 ku të akuzuar ishin shtatë persona, bëhej fjalë për vepër penale që kapte shumën prej 450 mijë euro.

Të pandehurit Sibush Haziri dhe Hamzi Rrahimi akuzoheshin për dy vepra penale “Mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve zyrtare”. Të pandehurit Ismail Berisha dhe Nexhat Bala, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës si dhe Besnik Mustafa, Seladin Ujkani dhe Shefqet Qerkini akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar, përkatësisht për veprën penale falsifikimi i dokumenteve zyrtare.

Gjykimi kishte të bënte me 1600 udhëtarë, të cilëve në vitin 2009 nuk u erdhi aeroplani për t’i dërguar në Gjermani, ndërsa ata mbetën në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës dhe u desh që vetë të gjenin zgjidhje.

Në këtë rast sa i përket të akuzuarve Sibush Haziri dhe Hamzi Rrahimi janë parashkruar/ vjetërsuar veprat penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar si dhe veprës penale, dhënie e ryshfetit, ku ka pasur parashkrim absolut.

Ndërsa sa u përket veprave tjera penale më 20 tetor 2015, Gjykata Themelore në Ferizaj shpalli aktgjykimin sipas të cilit të gjithë të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.

Edhe përkundër që është fakt i ditur dëmtimi i 1 mijë e 600 udhëtarëve të cilëve nuk u erdhi aeroplani për t’i dërguar në Gjermani, ndërsa ata mbetën në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës dhe u detyruan të marrin bileta të reja dhe me çmime të larta dhe përkundër faktit që prokuroria ka precizuar që vlera e dëmit është 450 mijë euro, kjo e fundit ka dështuar që të ofrojë prova konkrete për kryesit e këtyre veprave penale, duke bërë që qytetarët të humbin besimin në organet e drejtësisë ngase asnjëherë ata nuk u kompensuan as financiarisht e as moralisht për dëmin që u ishte bërë në vitin 2009.

http://kallxo.com/lirohen-kater-te-akuzuarit-per-udhetaret-e-mbetur-pa-aeroplan/

BIRN e sheh si shumë shqetësues faktin që rastet e veprave penale kundër korrupsionit të arrijnë parashkrimin duke lejuar kështu kryesit potencialë të mbesin pa u ndëshkuar.

Dështimi për të sjellë para drejtësisë kryesit e mundshëm në mbi 22 raste të veprave penale të kësaj natyre bie në kundërshtim me parimin për gjykim të drejtë, të paanshëm dhe në afat të arsyeshëm të paraparë si një ndër parimet bazë në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

BIRN dhe I/Ks ka rekomanduar që institucionet mbikëqyrëse të sistemit prokurorial dhe gjyqësor të reagojnë me vendosmëri dhe pakompromis ndaj parashkrimit të lëndëve të korrupsionit, duke thirrur në përgjegjësi publike dhe penale gjykatësit dhe prokurorët që lejojnë parashkrimin e lëndëve të korrupsionit.