Avokati Rudari: Personat që raportojnë rastet e korrupsionit dëmtohen dhe maltretohen gjatë hetimit

Avokati Naim Rudari ka treguar në emisionin “Kallxo Përnime” se si trajtohen palët që raportojnë rastet e korrupsionit.

Ai tha se zakonisht palët që raportojnë nuk trajtohen me respekt dhe dinjitet siç thuhet në Kodin e Procedurës Penale.

“Pala e dëmtuar, apo iniciuesi i rastit, dëmtohet dhe maltretohet jashtëzakonisht shumë sepse bie thuajse e gjithë barra e hetimit dhe e argumentimit mbi atë palë” – tha Rudari.

Tutje avokati mori si shembull një rast që ka të bëjë me Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ai tha se pala është dëmtuar jashtëzakonisht shumë pasi nuk ka mundur ta kryejë punën e saj pa u përfshirë në korrupsion. Tash i duhet edhe ta dëshmojë atë, tha ai.

“Ndonëse ka qenë në simulim të veprës penale të korrupsionit, ka argumentuar prova të mjaftueshme deri tek kryerja e veprës penale, derisa është bërë edhe dhënia e parave drejtpërdrejt nga i dëmtuari tek i dyshuari” – tha ai.

Pas gjithë kësaj, Rudari tha se palës i duhet që prapë të shkojë me përfaqësues që ta bindë edhe një herë prokurorinë.

Për raste të tilla redaktori menaxhues i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se ka stigmatizim shumë të madh të dëshmitarëve dhe viktimave të korrupsionit. Sipas Gashit, Kosova nuk ka arritur t’i mbrojë ata.

Gashi tha se shumë njerëz që kanë qenë sinjalizues dhe që kanë raportuar afera të korrupsionit, sot kanë problem t’i punësojnë fëmijët e tyre.

“Hala vazhdojnë të jenë ‘fëmijët e shpijunit”, i cili është hero për disa njerëz” – tha Gashi.

Por sipas tij, personi që raporton korrupsionin nuk është hero për sistemin e për grupet e krimit të organizuar.