A dihet se ku nis korrupsioni në Kosovë?

Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues i KALLXO.com, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se Kosova nuk di të identifikojë se ku për herë të parë ndodh korrupsioni. E kjo, sipas Gashit, është një problem bazik që e ka vendi ynë.

“Mendoj që problemi bazik në shtetin tonë është me e identifiku ku ndodh korrupsioni dhe ku na shfaqet për herë të parë” – tha ai.

Tutje Gashi tha se Kosova ka një deshtim total të inteligjencës për të identifikuar format dhe mënyrat e para të shfaqjes së korrupsionit në vend.

“Nëse i pyet shumicën e zyrtarëve institucionalë të Kosovës ku ndodh korrupsioni në Kosovë, shumica thonë në prokurim publik” – tha Gashi.

Mirëpo, sipas tij, në Kosovë janë disa raste, të cilat tregojnë që korrupsioni ndodh në mekanizmat të tjerë.

“Veç duhet me e marrë rastin ‘Brezovica’ edhe me e pa se sa ka mujtë me u bo korrupsion tu u bazu në leje të ndërtimit edhe në licenca” – shprehet Gashi.

Tutje redaktori menaxhues i KALLXO.com thotë se shumë më shumë po del të ketë korrupsion në rastin “Brezovica” sesa ndoshta që ka korrupsion në prokurim publik në 20 komuna për 10 vite.

“Veç në Brezovicë po supozohet që diku 20 milionë euro janë marrë mitë. Jo që janë keqpërdorur por janë marrë mitë. Aq shumë ka qenë për shkak të një leje, për shkak të një problemi që ka qenë atje” – thekson Gashi.

E tutje ai thotë se përpos rastit “Brezovica”, që është rast i hapur, në Kosovë, sipas Gashit janë edhe diku edhe pesë zona me ndërtime të njëjta, për të cilat nuk ka hetime të hapura.

“E kemi Bogën, Rugovën, e kemi Prevallën, e kemi Gjeravicën, zona të njëjta ku nuk lejohet ndërtimi, ku vilat e hotelet kanë mbirë si kërpudhat e nuk ka hetime” – thotë ai.

Një situatë të ngjashme e kësaj forme të korrupsuonit Gashi thotë se Kosova e ka edhe në qytete.

“Nuk po hyjmë hiç në qytete se kena miliona e miliarda të përfituara nga ndërtimet e larta, ndërtimet pa leje” – tha ai.

Për këto ndërtime, që sipas Gashit ndodhin në zona të ndryshme të vendit, shteti nuk e ka të identifikuar si problematikë dhe si një formë të korrupsionit.

“Pra këtu e kemi një formë të korrupsionit, e cila ka pru miliona euro përfitime për grupet, mirëpo shteti ynë nuk e identifikon hiç si problematikë sepse thotë problemi është kryesisht te prokurimi publik” – shprehet ai.

Gashi thotë se Kosova nuk ka kapacitete të shëndosha për të ndjekur korrupsionin, e këtë e cilëson si problem bazik.

“Problemin e kemi bazik, e para në fillimin  e hetimit fillestar. Na nuk kemi mbërri ende me ndërtu kapacitete të shëndosha edhe të mjaftueshme që korrupsioni me u ndjekë” – u shpreh Gashi.

Madje, raportimin e rasteve në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Gashi e cilëson si gabim strategjik.

Ai thotë se kjo Agjenci, nga një institucion i dedikuar për të parandaluar korrupsionin është shndërruar në të atillë që ta luftojë korrupsionin.

“Ka pasur një gabim strategjik ku shumica e raportimeve për korrupsionin kanë shku në Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila nuk e ka emrin Agjenci për me e luftu korrupsionin, po me e parandalu dhe Agjenica është shndërru në një mekanizëm hetues” – tha Gashi.

I njëjti tutje shton se Kosova ka harruar ose nuk ka mbërritur që t’i ndërtojë kapacitetet hetuese të korrupsionit në mekanizmat si Krimet Ekonomike, Administratë Tatimore, në Doganë edhe në Inteligjencë Financiare.

Ai thotë se për të kuptuar se pse po dështojnë rastet e korrupsionit, fillimisht duhet të fillohet të hetohet se çka ka bërë polici i Krimeve Ekonomike.

Ai thotë se ky polic dallon nga çdo polic tjetër i Kosovës, pasi për çdo rast të raportimit tjetër ku pala e thirrë Policinë, polici shkon te viktima.

Mirëpo, sipas Gashit, vetëm në rastet e korrupsionit polici e thërret palën në zyrë për t’ia marrë deklaratën. Me një veprim të tillë, Gashi thotë se pala që raporton rastin do të komprometohet.

“Shumë ma shumë e komprometon palën duke i thanë hajde në zyre te unë, në qendër të Prishtinës, me e pa krejt Prishtina që po hyn në Polici me e denoncu një rast” – tha Gashi.

Ai tutje shtoi se shumë më pak do komprometohej pala raportuese nëse polici do i thoshte: “Hajde e mbajmë një takim në një zonë ku mundemi me diskutu, ku ti nuk mundesh me pasë probleme, ku ti nuk shihesh që po bashkëpunon me neve”.

Hapi tjetër që sipas Gashit bie në dështimin e hetimit të korrupsionit është që Kosova nuk ka mekanizma që do të identifikonin dëshmitarë bashkëpunues.

Ai për shembull të mirë këtu përmend rastin “Subvencionet”, ku sipas Gashit prokurori i Prokurorisë Speciale, Rafet Halimi, ka punuar në mënyrë proaktive në sigurim të provave, gjë që sipas tij nuk gjendet në rastet e tjera.