Çka bën Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të parandaluar vonimin e gjykimit të rasteve të korrupsionit?

Vilard Bytyqi, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për veprimet e këtij Këshilli për të parandaluar vonimin e gjykimit të rasteve të korrupsionit.

Bytyqi tha se as vetë ata nuk krenohen me trajtimin e rasteve të korrupsionit që bëhet në gjykatat e vendit.

“Trajtimi i çështjeve të korrupsionit prej sistemit gjyqësor nuk është një çështje që edhe ne si KGJK krenohemi” – tha ai.

Tutje anëtari i KGJK-së tha se gjetjet, jo vetëm prej organizatave joqeveritare, por edhe prej mekanizamve të brendshëm që kanë ata, gati se edhe janë reale.

Për të parandaluar vonimin e trajtimit të rasteve të korrupsionit, Bytyqi tregoi se kanë marrë veprime proaktive me qëllim që çështjet të aktivizohen.

“Ne kemi ndërmarrë veprime proaktive që çështjet të aktivizohen. E kemi një strategji për efikasitetin e lëndëve të korrupsionit, e kemi caktuar një koordinator në nivel të KGJK-së, i cili është anëtar i Gjykatës së Apelit, përkatësisht i Departmentit të Specializuar, Burim Ademi” – tha Bytyqi.

Detyrë e Ademit, sipas Bytyqit, është që t’i koordinojë të gjitha aktivitetet që çështjet e korrupsionit të jenë prioritet i lartë për trajtim nga gjykatat.

Tutje ai tregoi se çfarë parashihet të ndodhë sipas kësaj Strategjie me gjyqtarët që nuk janë efikasë në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Në bazë të kësaj Strategjie, në rastet kur një gjyqtar nuk është efikas në luftimin e korrupsionit, Bytyqi ka thënë se gjyqtari duhet të marrë përgjegjësi disiplinore apo penale.

“Nëse grumbullohen prova që për arsye subjetive ka lidhje kauzale në mes mosveprimit të tij ose të veprimit të gabuar, apo në mënyrë të veprimit në kundërshtim me ligjin, gjyqtari konsumon përgjegjësi disiplinore ose përgjegjësi penale” – tha ai.

Bytyqi tutje thotë se kjo Strategji, që vlen për vitet 2022/2024, ka sjellë rezultate pozitive.

“Në bazë të statistikave tona, në gjashtëmujorin e parë ka lëvizje edhe në caktimin e seancave. Ka lëvizje pozitive në kuptimin e arritjeve të rezultateve” – shtoi Bytyqi.

Ai tutje ndau edhe disa statisitika të trajtimit të rasteve nga zbatimi i kësaj Strategjie.

“Vetëm në Departamentin Special, që është krijuar më 2019, në vitin e kaluar i kemi pasur lëndë të pazgjidhura të raportuara i kemi pasur 18, lëndë të pranuara në punë i kemi dy lëndë, ndërsa gjatë kësaj kohe janë të përfunduara dy lëndë” – tha anëtari i KGJK-së.

Ai shtoi se deri në fund të vitit, në bazë të informatave që i kanë pranuar nga gjyqtarët, do të ketë diku deri në 10 lëndë që do të përfundojnë me aktgjykim në shkallën e parë.

Ndërsa për rastin “Veteranët”, i cili u kthye në rigjykim në prill të 2022-ës, e që nga atëherë nuk është mbajtur asnjë seancë, Bytyqi ka thënë se nuk ka ndonjë përgjigje konkrete.

Për këtë rast ka folur edhe udhëheqësi i Zyrës Ligjore të Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, Labinot Leposhtica.

Ai tha se një veprim i tillë, pra asnjë seancë nuk është mbajtur edhe përkundër faktit që Kosova ka një dokument strategjik të KGJK-së ku qartazi kërkohet që këto raste të kenë prioritet absolut.