Gjykimi i zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: M’i Kërkuan 20 Mijë Euro për Akreditim të Programeve

Suad Berisha, dëshmitari në gjykimin e zyrtarëvë të Agjencisë Së Akreditimit Basri Muja e Ferdije Zhushi, tha se në emër të tyre iu kërkuan 20 mijë euro.

Berisha që dëshmoi në cilësinë e të dëmtuarit, tha se ndaj djalit të tij nga i akuzuari Armend Muja, djali i axhës së Basri Mujës në një kafene në shkurt të vitit 2010 është ushtruar qasje korruptive.

Berisha deklaroi se djalit të tij Armend Muja i kishte thënë që për të lëvizur me akreditimer, duhet t’i jepen para Basri Mujës e Ferdije Zhushit.

Dëshmitari tha se ishte takuar edhe dy herë të tjera me Armend Mujën dhe se në takimin e tretë Armendi i kishte thënë se duhet me i dhënë 20 mijë euro për ata të dy-Basri Mujën e Ferdije Zhushin.

Berisha më tutje tregoi se pasi nuk i dha paratë e kërkuara, filloi një qasje radikale , duke përjashtuar pa vendim dhe shpjegim aplikimet që institucioni arsimor i Berishës bënte për programe të reja.

I pyetur nga prokurori se a i kishte kërkuar Armend Muja para pas vitit 2010, dëshmitari Berisha tha se vëllait të tij Basri Muja në vitin 2013 i kishte thënë që nëse doni akreditim të programeve duhet të barazoheni me Armendin.

“Kur jemi takuar me Armendin ai na ka thënë se duhet 8 mijë e 600 euro të i paguani se me keni obligim” u përgjigj dëshmitari.

Para se të dëshmonte Suad Berisha, prokurori Abdurrahim Islami para trupit gjykues shpalosi precizimin e aktakuzës sipas kërkesës së gjykatës në seancën e kaluar.

Për të akuzuarin Armend Muja është precizuar dispozitivi në të cilin thuhet se i akuzuari në fjalë në vitin 2013 ka kërkuar shumën prej 8 mijë e 600 eurove nga Suad Berisha.

Ndërsa për të akuzuain tjetër Naim Braha është parashkruar lënda, dhe te njëjtin prokurori e propozoi që të dëgjohet si dëshmitar.

Rreth këtij precizimi reagime pati nga avokatët e të akuzuarve.

“Sa i përket aspektit procedural, kjo shkresë, ky precizim, është letër e paligjshme dhe në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale sa i përket ngritjes, ndryshimit apo precizimit të aktakuzës”, tha avokati Gashi.

Ai kërkoi që për klientin e tij të veprohet sipas dispozitave mbi parashkrimin absolut të ndjekjes penale dhe kërkoi që kjo kërkesë të aprovohet pa vonesë.

Edhe Ibrahim Dobruna, avokati i Naim Brahës, reagoi duke iu lutur gjykatës që të refuzojë kërkesën e prokurorit që klienti i tij të dëgjohet si dëshmitar, pasi që i njëjti ka marrë pjesë në këtë proces në periudhën kur është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit i dëmtuari Avni Mazreku.

“Kjo do te ishte një shkelje dhe provat do të ishin të papranueshme”, tha Ibrahim Dobruna.

Edhe përkundër kundërshtimeve që pati nga mbrojtësit e të akuzuarve trupi gjykues morri aktvendim me të cilin u aprovua precizimi i aktakuzës nga ana e prokurorit me arsyetimin se prokurori ka vepruar sipas udhëzimeve të gjykatës.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje, ndërsa Naim Braha i cili akuzohej për veprën penale të dhënies se ryshfetit i është parashkruar lënda .

Në kohën për të cilën akuzohet, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Seanca e radhës do të mbahet me 17 maj ku pritet që të vazhdojë marrja në pyetje e Suad Berishës dhe po ashtu të dëshmitarit tjetër Sedat Berisha.

Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni këtu.