Ratko Mlladiq

Dëshmitari i Mlladiçit: Numri i të Vrarëve në Srebrenicë Është Falsifikuar

Një dëshmitar ekspert që dëshmoi në mbrojtje të Ratko Mlladiç u përpoq të vërtetonte se qindra boshnjakë nga Srebrenica të vrarë në një pritë të ngritur nga trupat serbe të Bosnjës ishin paraqitur në mënyrë të rreme si viktima të masakrave.

Dëshmitari Dusan Pavloviç tha gjyqin për krime lufte të Mlladiçit në Gjykatën e Hagës të enjten se trupat e qindra boshnjakëve të dyshuar se ishin viktima të masakrave nga trupat serbe të Bosnjës ishin në fakt ato të burrave të vrarë në një pritë dhe përleshjeje ndëtsa ata përpiqeshin të largoheshin nga Srebrenica.

“Trupat u mblodhën dhe u varrosën në varre menjëherë pas luftimit,” u shpreh Pavloviç.

Ai pohoi se Ushtria Boshnjake ka gjithashtu raporte për qindra trupa të lënë mbrapa pas pritave nga trupat serbe të Bosnjës.

“Pra, pyetja është: Ku janë ata trupa? Ka me mijëra pjesë trupash… Disa prej tyre u vendosën në varre masive,” tha ai.

Pavloviç dëshmoi të mërkurën se qindra apo ndoshta mijëra civilë dhe ushtarë boshnjakë janë vrarë në një pritë në rrugën midis Konjevic Polje dhe Nova Kasaba ndërsa një kolonë burrash nga Srebrenica u përpoq të kalonte vijat serbe dhe të strehoheshin në qytetin e Tuzlës.

Avokati i Mlladiçit, Branko Lukiç, paraqiti një deklaratë nga ish-ushtari i Ushtrisë Boshnjake Nuriz Selimoviç, i cili ishte një nga të mbijetuarit e asaj kolone me burra.

“Mendoj se patëm të paktën 4,000 deri në 5,000 humbje,” citoi Lukiç të ketë thënë Selimoviç në deklaratën e tij.

Pavloviç tha se Selimoviç citoi gjithashtu diplomatin suedez Karl Bildt, i cili ishte një përfaqësues i BE-së gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Bildt shkroi se “ndoshta më shumë se 4,000 njerëz humbën jetët e tyre në prita brutale, ndërsa kolona e njerëzve po përpiqej të mbërrinte në një vend të sigurt.”

Kryetari i trupit gjykues Alphons Orie e pyeti Pavloviçin nëse ai gjithashtu e besonte deklaratën e Bildt se “në një sërë masakrash, Mlladiç përgatiti vrasjet e 3,000 burra që u lanë pas.”

Pavloviç u përgjigj se raporti i ekspertit të tij për gjykatën nuk kishte të bënte me fatin e atyre burrave, por vetëm me atë të njerëzve në kolonën që po arratisej drejt Tuzlës.

Ish-komandanti serb i Bosnjës Mlladiç po gjykohet për gjenocid kundër rreth 7,000 boshnjakëve nga Srebrenica.

Sipas akuzave kundër tij, rreth 15,000 burra boshnjakë, një e treta e të cilëve ishin të armatosur, filluan të largoheshin nga Srebrenica më 12 korrik 1995, pasi ajo ra në dorë të forcave serbe të Bosnjës. Serbët ngritën prita për boshnjakët që po arratiseshin.

Ai është gjithashtu në gjyq për terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit, persekutim të joserbëve në të gjithë vendin dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Pas një pushimi sezonal, gjyqi do të rifillojë më 1 shkurt.