Mungesë Kuorumi në Kuvendin e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Deputetët nuk kthehen pas pauzës, seanca shtyhet

Kuvendi i Kosovës pas më shumë se një orë pauzë nuk ka arritur ta vazhdojë seancën për shkak të mungesës së shumë deputetëve.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se sot përfundohet me kaq, ndërsa shtoi se për vazhdimin e seancës do të dalin me njoftim.

“Ne sot me aq sa po e shoh nuk janë 61 deputetë në sallë, kjo nuk na pengon t’i trajtojmë disa gjëra, Por në qoftë se grupet parlamentare dëshirojnë që një ditë tjetër ta thërrasim seancën kjo mund të jetë gjatë kësaj jave. Ka mundësi që edhe gjatë kësaj jave e thërras seancën nga dita e premte. Por do t’ju lajmërojmë edhe njëherë më saktësisht “, tha Veseli.

Ai theksoi se ka një sërë projektligjesh që për një kohë të gjatë kanë mbetur pa u shqyrtuar.

“Kemi edhe disa votime që janë bukur një kohë të gjatë siç është ai për noterinë, e shumë projektligje të tjera të cilat është mirë bashkërisht t’i kalojmë”, tha kryeparlamentari.