Vendi i përleshjes së armatosur në Skenderaj | Foto: KALLXO.com

Dënime për Përleshjen në Stacionin e Autobusëve

Gjykata Themelore e Mitrovicës shpalli vendimin për të akuzuarit e përfshirë në konfliktin e mëngjesit të 26 janarit të vitit 2015 në stacionin e autobusëve në Skenderaj.

Atë ditë, pas një konflikti në mes të transportuesve të udhëtarëve në Skenderaj, qe vrarë Jeton Ferizi, ndërsa ishte plagosur Muhamet Ahmeti.

Disa muaj më vonë prokuroria akuzoi Muhamet Ahmetin për vrasje të rëndë, Arsim Ferizin  për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe Astrit Lushtakun për armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, konflikti i atëhershëm mes Ahmetit e Ferizit kishte nisur si zënkë në lidhje me çështjen e nisjeve të linjave të transportit të dy kompanive, për t’u përshkallëzuar me të shtëna armësh që shkaktuan vdekje dhe plagosje.

Pas disa seancave maratonike dhe ndërrimeve të gjyqtarëve e prokurorëve në këtë rast, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari i Gjykatës së Mitrovicës Avni Mehmeti, e shpalli vendimin.

Muhamet Ahmetin që akuzohej për vrasjen e Jeton Ferizit e liroi nga kjo akuzë dhe atë e shpalli fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje duke e dënuar me një vit burgim.

Arsim Ferizi, vëllai i të ndjerit Jeton Ferizi që ditën kritike kur Jetoni ishte ende i plagosur, e qëlloi me armë Muhamet Ahmetin, u dënua me një vit e gjashtë muaj burg për vrasje të mbetur në tentativë të kryer në gjendje të tronditjes.

Astrit Lushtaku që kishte marr armën e Jetonit të ndjerë u dënua për armëmbajtje pa leje me gjashtë muaj burgim me kusht.

Lajmin që gjykata mori vendimin për të përfshirët në përleshjen e armatosur të pronarëve të autobusëve e konfirmoi për KALLXO.com Gani Rexha, avokati i Muhamet Ahmetit.

“Klienti im Muhameti është liruar nga akuza për vrasje se rëndë, sepse është vërtetuar se vepra është kryer në vetëmbrojtje të nevojshme, ndërsa për armëmbajtje pa leje është dënuar me një vit burgim,” tha avokati Rexha.

Ai tregoi edhe dënimet që iu shqiptuan të akuzuarve tjerë të këtij procesi gjyqësor.

“Arsim Ferizin gjykata e ka shpallur fajtor për veprën penale vrasje në tentativë të kryer në afekt mendor dhe është dënuar një vit e gjashtë muaj burgim, kurse Astrit Lushtaku është dënuar për armëmbajtje pa leje me 6 muaj me kusht,” tha Rexha.

Shyqyri Syla, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicës tha për KALLXO.com së institucioni i tij nuk është i kënaqur me vendimin.

“Prokuroria nuk është e kënaqur me vendimin  dhe do të bëjmë ankesë në shkallën e dytë ndaj vendimi të gjykatës themelore,” theksoi Syla.

Edhe Haxhi Millaku, avokati i Arsim Ferizit, tha se do të ankohet në lidhje me dënimin që iu shqiptua Muhamet Ahmetit.

“Sa i përket dënimit të Muhamet Ahmetit ne do të bëjmë ankesë për shkak se gjendja faktike fare nuk ka të bëjë me mbrojtjen e nevojshme dhe gjithashtu ne jemi çuditur me vendimin e gjykatës për mbrojtjen e nevojshme,” tha Millaku.

KALLXO.com në vazhdimësi e ka përcjellë këtë rast që nga momenti tragjik i ngjarjes.

http://kallxo.com/vdes-nje-person-nga-konflikti-ne-skenderaj/

http://kallxo.com/deklarohet-i-pafajshem-i-akuzuari-per-vrasje-ne-konfliktin-e-transportuesve/