Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Deklarim Pafajësie në Gjykimin për Pronën

Një pronë 10 hektarëshe në Magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë është shkaku që Arben Bashota dhe Osman e Sylejman Bajrami po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për krim të organizuar lidhur me veprën penale të detyrimit.

Në seancën  fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës  pas leximit të aktakuzës nga prokurori Abdurrahim Islami të akuzuarit thanë se ndihen të pafajshëm  ndaj akuzave të prokurorisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Ternava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova,  pala e dëmtuar në këtë rast  Murat Ternava pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Prokuroria pretendon se vlera e përgjithshme e objekteve të ndërtuara në pronën kontestuese nga të dëmtuarit është më shumë se 5 milionë euro.

Pas leximit të aktakuzës dhe deklarimit të të akuzuarve, avokatët mbrojtës Emrush Kastrati, Nikë Shala dhe Haxhi Millaku ngritën  para trupit gjykues çështjen e kohëzgjatjes së paraburgimit të të akuzuarve që në masën më të ashpër të sigurisë janë që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Avokatët mbrojtës kërkuan lirimin nga paraburgimi dhe zëvendësimin me një masë më të butë, siç është arresti shtëpiak apo dorëzania, pasi sipas tyre nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për të cilat paraburgimi ishte caktuar.

Gjyqtari Arben Hoti, pasi dëgjoi kërkesat e avokatëve, ftoi për të dhënë mendimin e tij për paraburgimin edhe prokurorin Islami, i cili kundërshtoi zëvendësimin e masës duke thënë se akoma janë prezentë rreziku i ikjes së të akuzuarve si rrethanë që ndikon në caktimin e paraburgimit.

Gjyqtari Hoti u dha afat një muaj avokatëve mbrojtës që të paraqesin kundërshtimet e tyre me shkrim ndaj aktakuzës.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast, ndërsa detajet mund t’i gjeni në linkun në vijim:ww

http://kallxo.com/sherri-i-madh-i-prones-10-hektareshe/

 

www.kallxo.com