“Dashë Ryshfet me Kërkesë të Djalit të Vëllait ”

Xhemajl Ramadani, njëri nga pesë të akuzuarit për dhënie dhe marrje ryshfeti, 4 nga të cilët punonin në KEDS në kohën për të cilën akuzohen, pranoi dhënien e ryshfetit, por tha se atë e ka dhënë me porosi.

“Kam qenë vetëm ndërmjetësues duke kryer obligim të djalit të vëllait, në të vërtet jo obligim, por lutje të djalit të vëllait,” tha Ramadani që vten në gjykatë e konsideroi viktimë.

Sipas prokurorisë, Eset Tahiri, Gëzim Gashi, Jusuf Shaljani dhe Qamil Bekteshi si persona në cilësinë e punëtorëve të KEDS-it më 17 nëntor të vitit 2014 morën ryshfet prej 1 mijë eurove nga i akuzuari Xhemail Ramadani.

Aktakuza precizon se atë ditë këta katër persona në Hotelin “Begolli” në Prishtinë nuk e evidentuan një kabllo nëpërmjet së cilës vidhej rryma, pasi i morën 1 mijë euro nga Xhemajl Ramadani për të mos ia shkyçur rrymën dhe për të mos konstatuar vjedhjen.

Prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu tha se aktakuza është e arsyetuar me prova materiale dhe jomateriale dhe  se administrimi i provave do ta vërtetojë aktakuzën.

Edhe përfaqësuesi i KEDS-it, Luis Serreçi e mbështeti fjalën e prokurores për t’i dënuar të akuzuarit.

Të gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë.

Anton Ukaj,mbrojtës i të akuzuarit Eset Tahiri aktakuzën ndaj të mbrojturit të tij e konsideroi të pabazë.

“Si në deklarimet që i kemi dhënë në hetuesi, aktakuza ndaj Eset Tahirit është komplet e pabazë, jemi kurreshtarë që të administrohen provat  gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, por nga ato prova nuk mund të dihet kurrfarë konkludimi, e as vërtetim faktesh se i pandehuri Eset e ka kryer veprën për të cilën akuzohet,” tha Ukaj.

Edhe avokatët tjerë, Nikë Shala mbrojtës i të akuzuarit Gëzim Gashi, Nuhi Uka mbrojtës i Jusuf Shaljanit dhe Nasuf Hasani mbrojtës i Qamil Bekteshit thanë se në bazë të deklaratave të prokurorisë të mbrojturit e tyre nuk i kanë  kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

KALLXO.com raportoi edhe më herët për këtë rast.

http://kallxo.com/kundershtohet-aktakuza-ndaj-punetoreve-te-keds-it/

http://kallxo.com/i-akuzuari-kerkon-avokat-ne-gjykimin-e-punetoreve-te-keds-it/