Dardan Sejdiu, PSD

Dardan Sejdiu: Qeveria as presidenti nuk kanë legjitimitet të negociojnë në emër të Kosovës

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka thënë se PSD-ja po e trajton si çështje të rëndësishme zgjidhjen e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Por sipas tij, në këtë zgjidhje, konsensusi i subjekteve politike fuqizon pozicionin e Republikës së Kosovës.

Sejdiu në Facebook ka shkruar se “qeveria dhe presidenti, nuk kanë legjitimitet dhe as kredibilitet, të negociojnë në emër të Kosovës dhe për Kosovën”.

“Në njërën anë e kemi një pushtet të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar, që nuk po e drejton mirë Kosovën dhe në veçanti procesin e dialogut; në anën tjetër e kemi një pjesë të opozitës që krejt çka bën tash e disa muaj është vajtimi dhe ankesat. Para se disa nga partitë opozitare të flasin për strategjinë politike të PSD-së, ato duhet të përgjigjen për rezultatin e strategjisë së tyre disamujore për rrëzimin e qeverisë, apo përpjekjen për bllokimin e pushtetit? “, ka shkruar ai.

Sipas deputetit të PSD-së, rrugëtimi i partive opozitare për çështjen e dialogut që nga tryezat, bojkotet e Kuvendit, mocioni i mosbesimit dhe rezoluta që kërkonte dorëheqjen e qeverisë e kthyen të gjithë procesin në fillim, pra në thirrjen e tryezave të partive politike.

“Besojmë që së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun. Mirëpo, për bashkim të opozitës duhet vullnet politik edhe nga të tjerët. E respekt të ndërsjellë. Sidomos nga subjektet më të numërt në kuvend. Ne nuk besojmë që zgjidhja është ankesa dhe vajtimi, por angazhimi për të ndërtuar strategji të përbashkët, përballë një pushteti të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar.”, përfundon Sejdiu.