Dardan Sejdiu, PSD

Dardan Sejdiu: Kuvendi duhet t’i marrë ‘dizginat’ e dialogut

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, Dardan Sejdiu, tha sot se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka kompetencë që të flas ëpër territore kur ky i fundit të takohet nesër në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Sejdiu tha se Kuvendi është vendi ku duhet të diskutohen çështjet rreth dialogut.

“Presidenti nuk ka as mundësi as kompetencë të flasë për territore. Rruga e vetme përpara është dialogu në Kuvend, dy të tretat e deputetëve për ta miratuar platformën dhe dy të tretat për ta formuar ekipin negociator. Kjo bëhet në Kuvend, nuk bëhet nëpër studio televizive”, tha Sejdiu.

“Nuk bëhet ky muhabet prej bishtit, bëhet prej kokës”, tha ai duke refuzuar ta pranojë delegacionin e qeverisë, të drejtuar nga Zëvendës Kryeministri Fatmir Limaj.

“Kuvendi duhet t’i marrë dizginat e dialogut”, tha Sejdiu.