Dardan Molliqaj - PSD

Dardan Molliqaj VV-në e quan 'sekt', Albin Kurtin 'profet'

“Protestën e sotme, profeti (Albin Kurti) do ta quante ”karneval i dështuar”, thotë ish anëtari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti protestë para Këshilli Prokurorial të Kosovës, për të kundërshtuar kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka komentuar për protestën e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe për kryetarin e kësaj të fudnit, Albin Kurti.

Ai ka thënë se shpesh takon njerëz që i janë mërzitur ndarjes së VV-së edhe pse sipas tij, ‘besimtarët e sektit nuk guxojnë as të më flasin sepse i qorton profeti’.

“Të tjerët që guxojnë të mendojnë, e kanë kuptuar gjendjen ku është katandisur kjo parti. Nga një lëvizje shpresëdhënëse, është shndërruar në sekt që për interesa të profetit paranoik, duke u mbrojtur nga ”armiku i jashtëm”, e shkatërroi vetën nga brenda.”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tutje ka thënë se VV dikur ishte ‘lëvizje shpresëdhënëse’ dhe se tashmë ‘është shndërruar në sekt që për interesa të profetit paranoik, është e gatshme ta djegë edhe protestën si aktin më demokratik të një popull’i.

“Një sekt që akuzon bashkëthemeluesit e lëvizjes keq e më keq, e në anën tjetër pranon në gjirin e saj njerëz si Ajvaz Berisha, i akuzuar për vrasje e përdhunime. Sekt që përqafon Berat Buzhalën vetëm e vetëm që profeti t’i përdorë mediat e tij për të shpifur kundër nesh. Sekt, fundosja e shpejtë e të cilit nuk po ndalet”, ka shtuar deputeti Molliqaj.