Daçiq: Kosova s’do të ketë përkrahje ndërkombëtare për Tribunalin

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq nuk beson që iniciativa e Kosovës për themelimin e një Tribunali për Krimet e Serbisë në Kosovë do të ketë përkrahje ndërkombëtare.

Daçiq në një intervistë për gazetën “Novosti” tha se ideja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është ta largojë vëmendjen nga Gjykata Speciale.

“Është e vështirë për mua të imagjinoj se dikush nga bashkësia ndërkombëtare do të mbështeste ngritjen e një gjykate në Kosovë që disa ish-perla të UÇK-së, tani të transformuar në seksione të politikanëve dhe të cilët lehtë mund të gjenden para Gjykatës Speciale”, tha ai, raporton b92.

Daçiq shtoi se nuk e di pse duhet të themelohet tribunal në Kosovë pasi që sipas tij,  kjo punë është në duart e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY)

“Prandaj, mendoj se qëllimi i vetëm i njoftimeve të tilla është qetësimi i publikut të Kosovës në një kohë kur gjithnjë e më shumë po bëhen thirrje për liderë të UÇK-së të paraqiten para Gjykatës Speciale”, tha ministri serb.

Themelimi i Tribunalit për Krimet e Serbisë në Kosovë është ide nga kryekuvendari, Kadri Veseli dhe sot në ora 14:00 do të organizohet një takim gjithëpërfshirës për të.

Veseli kishte deklaruar se për 186 masakra të kryera në Kosovë e për mijëra të vrarë nga forca serbe gjatë viteve 1998-99, institucionet e Kosovës do të kërkojnë drejtësi. Ky tribunal, sipas tij do të jetë ndërkombëtar dhe do të gjykojë të gjithë ata që kryen krime në Kosovë.

Për këtë iniciativë Kadri Veseli ka edhe përkrahjen e presidentit të KosovësHashim Thaçi.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Ndërkaq, të pagjetur ende konsiderohen mbi 1,600 persona.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilat njihen edhe si Gjykata Speciale. Aty po hetohen krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, të cilat pretendohen se janë kryer nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 deri më 2000. Selia e saj gjendet në Hagë të Holandës.