Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May.

Britanisë i jepet edhe një shans për Brexit me marrëveshje

Kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May, i mbetet tani të bindë ligjvënësit e vendit që të mbështesin planin e saj për largim nga Bashkimi Evropian – apo Brexit – pasi BE-ja propozoi shtyrje të Brexit-it përtej 29 marsit, datës së paraparë aktualisht.

Të enjten vonë, pas tetë orësh bisedime, udhëheqësit e BE-së ofruan shtyrje të Brexit-it deri më 22 maj, nëse ligjvënësit britanikë e miratojnë planin e Mayt javën e ardhshme.

Nëse nuk e miratojnë, shtyrja do të jetë më e shkurtër – deri më 12 prill – dhe, në atë rast, Britania do të duhet të dalë me vendime të reja ose të largohet pa marrëveshje.

May tha se ligjvënësit kanë një “zgjedhje të qartë”.

Plani i saj ka dështuar dy herë në Parlament, kryesisht për shkak të një pike që përshkruan qasjen ndaj kufirit të Irlandës, pas Brexit-it.

Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian me një referendum në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.