Albin Kurti. Foto: KALLXO.com.

Kurti: Britania e Madhe duhet të dërgojë më shumë trupa për të na mbrojtur nga pushtimi nga Serbia

Britania e Madhe duhet të dërgojë më shumë trupa në Kosovë për të parandaluar një luftë në Ballkanin Perëndimor, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një intervistë për median britanike “The Telegraph”.

Kurti ka theksuar se NATO ka një prani “simbolike” dhe kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për të parandaluar një invazion nga Serbia.

Sipas mediumit britanik, këto komente të Kurtit vijnë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në fillim të kësaj jave la të kuptohet për një përpjekje për të rimarrë Kosovën, duke thënë se Beogradi “do të presë momentumin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë“.

Ndonëse NATO ka 4,000 trupa në Kosovë, kryeministri Kurti tha se Kosova “mund të mbrohet edhe më mirë” dhe se “NATO mund dhe duhet të angazhohet më shumë në Kosovë si ushtarakisht ashtu edhe politikisht” për shkak të kërcënimit nga Beogradi.