Konferenca kundër korrupsionit | Foto: KALLXO.com

Braathu: Një Qytetar i Mirë Raporton Korrupsionin

Në një tryezë të organizuar në Prishtinë në ditën kur përfundon Java Kundër Korrupsionit, shefi i Misionit të OSBE-së Jan Braathu tha se korrupsioni duhet të luftohet nga vetë qytetarët.

“Një qytetar i mirë duhet të raportojë  korrupsionin dhe po ashtu një qytetar i mirë nuk duhet që të korruptojë dikë…T’u përmbahemi rregullave thjesht, e kur njerëzit u përmbahen rregullave është më mirë për të gjithë, përfitojmë të gjithë,” tha Braathu.

Ai tregoi se korrupsioni ka shumë fytyra.

“Korrupsioni shpesh paraqitet vetëm si çështje që ka të bëjë me paratë, por korrupsioni manifestohet edhe në mënyrat tjera, jo vetëm në mënyrat monetare,” tha Braathu.

KALLXO.com prej fundit të nëntorit deri dje shfaqi hulumtimin për vjedhjen e organizuar tatimore, të cilën e denoncoi kallxuesi Murat Mehmeti.

Efekti i Kallxuesit Murat Mehmeti

Në tryezë u fol për përpjekjet e sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.

Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se ndihet krenar që shteti i tij po ndihmon luftën kundër korrupsionit në Kosovë.

“ShBA-ja është krenare që mbështet organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë, përderisa është duke punuar për të forcuar sistemin e drejtësisë në Kosovë,” tha Delawie.

Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha se ky institucion luftën kundër korrupsionit e ka shndërruar në plan të veprimit.

“Jetike për ne është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe këtë luftë e kemi shndërruar në plan të veprimit. Me miratimin e planit të veprimit për çështjet e korrupsionit që filloi në shkurt të vitit 2016, kemi miratuar një plan ku i kemi dhënë prioritet vendosjes së lëndëve korruptive,” tha Idrizi.

Ai tha se është rritur numri i gjyqtarëve që trajtojnë lëndët e lidhura me korrupsion.

“Të gjitha lëndët e natyrës korruptive tani janë në procedurë e sipër, kemi përforcuar Departamentin e Krimeve të Rënda që ka kompetencë trajtimin e lëndëve të natyrës korruptive duke dërguar 6 gjyqtarë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kurse në 6 gjykata tjera e kemi rritë numrin e gjyqtarëve që trajtojnë këto raste,” tregoi Idrizi.

Bartja e një numri të gjyqtarëve në Departamentin e Krimeve të Rënda ishte kriter i Komisionit Evropian në dhjetor të vitit të kaluar për lëvizje pa viza të kosovarëve.

http://kallxo.com/demarkacioni-kusht-per-heqjen-e-vizave/

Tash njëri nga dy kriteret e mbetura për lëvizje të lirë në Zonën Shengen nga po ky komision janë rezultatet e sistemit të drejtësisë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në Raportin e Progresit 2016 përdorimi i fjalës korrupsion është shtuar në raport me vitin e kaluar. Vjet korrupsioni përmendej 66 herë e sivjet 83 herë.

http://kallxo.com/raporti-progresit-sheh-vendnumerim-te-kosoves/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri