Deputeti i VV-së, Liburn Aliu në konferencë për media më 14 gusht 2019, Foto: KALLXO.com

Ministri Liburn Aliu blen banesë në “Marigona Hill” në vlerë 103 mijë euro

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Librun Aliu në tetor të vitit 2020 ka nis blerjen e një banese në lagjen “Marigona Hill”. Vlera e kësaj banese, sipas deklarimit të pasurisë që ka bërë ministri Aliu në Antikorrupsion kap shifrën e 103 mijë eurove.

“Si sqarim shtesë në lidhje me detyrimin financiar ndaj “Marigona Hill” shpk. Me këtë kompani është lidhur edhe një para-kontratë për blerje të banesës me vlerë 103,000.00€ me 19 tetor 2020, në mes të kësaj kompanie dhe mua personalisht, nga të cilat janë paguar 20,000.00€ janë paguar (pas mjeteve të marra të kompensimit për ish të burgosurit politikë) dhe 83,000.00€ kanë mbetë të papaguara me afat deri në dhjetor 2023, me mundësinë e ndryshimit të kontratës në rast të mosarritjes së realizimit të pagesës”, thuhet në sqarimet që ministri Librun Aliu ka thënë në deklarimin e pasurisë.

Kjo banesë siç është përshkruar në deklarimin e pasurisë me hapësirë prej 90 metrash katror dhe një tarracë prej 21 metrash katror.

Në “Marigona Hill” nuk ka vetëm Aliu banesë. Ai ka deklaruar se një banesë prej 89 metrash katrorë posedon edhe prindi, vlera e së cilës e kapë shifrën e 64 mijë eurove, ndërsa kanë mbet për tu paguar edhe 23 mijë euro. Të njëjtën, Librun Aliu e kishte përshkruar edhe në deklarimin e pasurisë për vitin 2020.

Në emër të bashkëshortes, Aliu ka deklaruar edhe një banesë tjetër së bashku me garazh 90 metra katror vlera e së cilës është përshkruar 85 mijë euro.

Aliu ka deklaruar edhe tokë vlera e të cilës është përshkruar 15 mijë euro.

Gjatë këtij viti, Ministri Aliu ka blerë edhe një veturë të tipit BMW, vlera e të cilës është 6 mijë e 500 euro. Të njëjtën ai ka thënë se ka blerë me kredi. Ndërsa, në deklarimin e vitit të kaluar, ai posedonte një veturë të tipit golf 4.

Sipas deklarimit, Librun Aliu si para të gatshme në bankë i ka 1 mijë e 915 euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar para të gatshme në bankë 6 mijë e 150 euro.

Të hyrat vjetore të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës sipas deklarimit janë 22 mijë 639 euro, por gjatë kohës sa Aliu mbante pozitën e deputetit të Kuvendit të Kosovës. 1 mijë e 128 euro nga Kolegji “UBT” ku Liburn Aliu është i angazhuar si ligjërues ndërsa ai ka përshkruar edhe kompensimin për ish të burgosurit politikë në vlerë prej 25 mijë e 350 euro.