Agjencia Kundër Korrupsionit detyron MKRS-në ta largojë nga puna ish-shefen e kabinetit të ministrit

Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të duhet ta lërë vendin e punës pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit ka gjetur konflikt interesi në emërimin e saj në këtë pozitë.

Shyti, para se të bëhej drejtoreshë ka qenë këshilltare politike e Memli Krasniqit, e më pas edhe shefe e kabinetit të ministrit aktual në detyrë të Kulturës, Kujtim Gashi dhe kjo ka bërë që AKK të hapë si rast dyshimi për konflikt interesi.

“Ekziston konflikti i interesit dhe kufizim pas ushtrimit të detyrës publike në rastin e trajtuar me Nr.AKK-03-02-427/19, për zyrtaren e lartë znj. Jehona Shyti, Drejtor i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shkak se para se të përzgjidhej dhe emërohej në këtë pozitë, e njëjta ka ushtruar funksionin publik Shef i Kabinetit dhe Këshilltar Politik të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo situatë bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Pas shqyrtimi të këtij rasti, Agjencia ka marrë vendim më 11 tetor të këtij viti që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të fillojë procedurën e shkarkimit të saj dhe do të fillojë procedurë për kundërvajtje në gjykatë.

“Agjencia do të kërkojë fillimin e procedurës për kundërvajtje nga Gjykata kompetente”, thuhet tutje.

Në arsyetimin e këtij vendimi Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar edhe bazën ligjore.

“Rasti i hapur nën dyshimin për konflikt të interesit në ushtrimin e funksionit publik për zyrtaren e lartë znj.Jehona Shyti, Drejtor i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është trajtuar sipas procedurës së paraparë në Ligjin nr.06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”, thuhet aty.

Tutje AKK thotë se sipas procedurës së paraparë në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, e kanë njoftuar zyrtaren Jehona Shyti dhe janë takuar, porse ajo nuk i ka pranuar pretendimet e Anti-korrupsionit.

“Zyrtarja e lartë znj.Shyti nuk është pajtuar me pretendimet e AKK-së, duke deklaruar se nuk ka asnjë ndalesë apo kufizim me rastin e emërimit të saj në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Kulturës në MKRS. Pas këtij takimi, zyrtarja e lartë ka dorëzuar njoftim me shkrim me nr.protokolli: DPKI-06-01/1087/10, datë 29.05.2019, përmes së cilës ka paraqitur mos pajtimet lidhur me pretendimet e Agjencisë kundër Korrupsionit”, thuhet në vendimin e Agjencisë.

Megjithatë, Agjencia Kundër Korrupsionit ka theksuar se këtë vendim e ka të bazuar në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

“Dorëheqja me datë 10.05.2018, e znj. Shyti nga funksioni Shef i Kabinetit dhe Këshilltar Politik i Ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe emërimi me datë 19.10.2018, në pozitën e të Drejtorit të Departamentit të Kulturës në kuadër të MKRS-së është bërë në kundërshtim me Ligjin Nr.06/L-011, për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Neni 18, i cili parasheh kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike, paragrafi 1, nën paragrafët 1.1 dhe 1.4 si dhe paragrafi 3”, thuhet tutje.

AKK po ashtu ka thënë se MKRS-ja dhe vetë Shyti është dashur ta njoftojnë Agjencinë Kundër Korrupsionit në situata të tilla.

“Përkundër këtij detyrimi nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim që parashihet sipas paragrafit 3 të këtij neni”, është thënë në vendim.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se gjatë shqyrtimit dhe analizimit të dokumenteve ka vërejtur se Shyti në formularin e kërkesës për punësim i ka përshkruar përvojat e saj të punës si Shefe e Kabinetit të ministrit të MKRS-së.

“Agjencia Kundër Korrupsionit konsideron se me rastin e përzgjedhjes dhe emërimit të znj. Shyti në pozitën drejtuese, nuk është respektuar zbatimi i drejtë i dispozitave të Ligjit nga Neni 18, obligime të cilat vlejnë për zyrtarin e lartë pas përfundimit të funksionit publik për një periudhë kohore deri në dy vjet”, thuhet tutje.

Agjencia ka bërë të ditur se me datë 02.09.2019, e ka njoftuar Shytin me shkresë, ku përmes saj ka kërkuar të largohet nga pozita me afat prej 7 ditësh nga pranimi i njoftimit, por se ajo nuk është pajtuar me këtë konstatim.

Tutje thuhet se duke pasur parasysh që Shyti nuk i është bindur vendimit, Agjencia ka kërkuar nga Ministria që të fillojë procedurën për shkarkimin e saj, ku sipas tyre është e përcaktuar me Nenin 22, paragrafi 8 të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

AKK thekson se çdo vendim që nxirret nga kjo Agjenci duhet të respektohet nga zyrtarët dhe institucionet përgjegjëse.

KALLXO.com ka kontaktuar Jehona Shytin për të marrë një qëndrim rreth këtij vendimi, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigje.

Veprim të njëjtë ka bërë edhe sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firzi.

KALLXO.com kishte raportuar për emërimin e saj në këtë pozitë.

Nga këshilltare politike e kandidate për deputete e PDK-së, në staf civil

www.kallxo.com