Dy drejtorë të Klinikave të QKUK-së me biznese, antikorrupsioni i detyron të japin dorëheqje

Dy raste të konfliktit të interesit i ka gjetur Agjencia Kundër Korrupsion tek dy drejtorë të Klinikave të Qendrës së Klinikës Universitare të Kosovës.

Tek të dyja rastet AKK ka gjetur se dy drejtorët kanë pasur edhe biznese private.

Njërin rast e ka hasur tek Imri Jashari, drejtor i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, me ç’rast ka identifikuar se Jashari është person i autorizuar në biznesit privat “Polikinika Koronarja”.

Rastin tjetër e ka gjetur tek Venera Berisha-Muharremi, drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë në QKUK, e cila ka qenë person i autorizuar në katër biznese: “Këshillimorja për Dieta Prodieta”, “DietA-Pro”, “Stevia Line WED” dhe “Dietal”.

Për të dy zyrtarët, AKK ka kërkuar informacione në Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), me ç’rast ka pranuar verifikim për çështjet e ngritura nga ARBK.

Pas kësaj, antikorrupsioni ka kontaktuar drejtorët e klinikave të QKUK-së dhe i ka njoftuar se ata janë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, më saktësisht nenin 13, paragrafi 1.

Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Imri Jashari është pajtuar me konstatimet e AKK-së dhe ka ndërmarrë veprimet për shmangien e konfliktit të interesit, kurse drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Venera Berisha-Muharremi, ka thënë se pasi ka marrë pozitën e Drejtoreshës, ka iniciuar kërkesat për ndryshime në biznese, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, ajo ka premtuar se do të ndërmarrë veprime për shmangien e konfliktit të interesit.

Pas analizimit të informatave, të dy zyrtarët kanë bartur të drejtat e drejtimit të biznesit tek personat e besuar të tyre.

Agjencia ka theksuar se mund të rihapë rastet e tyre në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste të reja të zyrtarëve të lartë që AKK i ka detyruar të japin dorëheqje nga pozitat udhëheqëse në OJQ të ndryshme.

Anti-korrupsioni e detyron Naser Ramadanin të dorëhiqet nga dy OJQ

Anti-korrupsioni e detyron dekanin në universitetin “Haxhi Zeka” ta shuajë OJQ-në

Konflikti i interesit, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës detyrohet të japë dorëheqje nga OJQ-të

Anti-korrupsioni detyron ish-prodekanin e Fakultetit të Arteve të tërhiqet nga OJQ-ja

Anëtarja e KD të UP-së mbante shumë pozita, AKK e detyron të heqë dorë nga disa