Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti - Foto: REL/BQK

Guvernatori i BQK-së në komision ku kandidatë ishin këshilltarët e kabinetit të tij, Antikorrupsioni nuk gjen konflikt interesi

Agjencia Kundër Korrupsion ka konstatuar se nuk ka pasur konflikt interesi në pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në panelin përzgjedhës për anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të BQK-së.

Mehmeti kishte qenë në panelin përzgjedhës për intervistimin dhe vlerësimin e më pas rekomandimin për votim në Kuvendin e Kosovës të dy punonjësve aktual me orar jo të plotë në BQK, Arben Mustafës nga kabineti i tij dhe Veton Zeqirajt, Këshilltar i Lartë në BQK. 

“Edhe pse në dukje, megjithatë, nuk përbën konflikt faktik të interesit, sipas dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Legjislacionit në fuqi të BQK-së”, thuhet në opinionin e AKK-së.

Sipas AKK-së, marrëdhënia e Guvernatorit dhe dy kandidatëve në fjalë – punonjës aktual në BQK, nuk është marrëdhënie afariste sikurse është definuar në nenin 3, paragrafi 1.2 te Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, por është marrëdhënie apo raport zyrtar pune.

Më tej, AKK e ka arsyetuar opinionin e saj duke thënë se pas rekomandimit të kandidatëve nga paneli përzgjedhës i BQK-së, procesin e zgjedhjes përfundimtare të kandidatëve pasojnë edhe dy faza thelbësore të vendimmarrjes, votimi në kuvend nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe më pas dekretimi nga Presidenti i Republikës së Kosovës. 

“Prandaj, përzgjedhja e kandidatëve nga paneli përzgjedhës i Bordit të BQK-së, sado i rëndësishëm, nuk është çast i fundit i procesit vendimmarrës sipas përkufizimit të vendimmarrjes në nenin 3, paragrafi 1.12 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thuhet në opinionin e AKK-së.

AKK ka thënë se kandidatët e përzgjedhur dhe rekomanduar për votim në Kuvendin e Kosovës, janë votuar në mënyrë unanime nga anëtarët e panelit të BQK-së duke pamundësuar kështu që vota e Guvernatorit, apo cilitdo anëtarë të panelit të ketë qenë përcaktuese në përzgjedhjen dhe rekomandimin e këtyre kandidatëve.

“Për më tepër, legjislacioni në fuqi i BQK-së, nuk parasheh kufizime (ndalesa) për punonjësit aktual të BQK-së, që ata të kandidojnë apo emërohen për anëtarë jo-ekzekutiv të Bordit të BQK-së, ndërsa nëse të njëjtit kalojnë të gjitha fazat e vendimmarrjes dhe zgjedhen antëtarë jo-ekzekutiv të Bordit të BQK-së, atëherë sipas nenit 34, paragrafi 2 i Ligjit të BQK-së […] Anëtarët jo-ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore nuk do të jenë anëtarë të personelit të Bankës Qendrore”.

Agjencia ka dalë me opinion edhe pse procesi për përzgjedhjen e një kandidati për anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të BQK-së, është kthyer në pikën zero, ngase asnjë nga 6 kandidatët e përzgjedhur dhe rekomanduar nga paneli përzgjedhës i BQK-së, nuk kanë marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Rastin e BQK-së në lidhje me dyshimin për konflikt interesi në AKK e kishte dërguar Hekuran Murati, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës. Dyshimet për konflikt interesi ishin ngritur nga Murati edhe në mbledhjen e Komisonit të datës 24 qershor, kur edhe përkundër kësaj lista me 6 emrat e propozuar kishte shkuar në Kuvend për votim.

Ndryshe nga Agjencia Kundër Korrupsion, e cila ka konstatuar se nuk ka konflikt interesi, Zyra Ligjore në Kuvendin e Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë konstatuar se ka konflikt interesi.

Në lidhje me ekzistimin e konfliktit të interesit, Komisioni për Buxhet dhe Financa kishte kërkuar interpretim ligjor nga Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës. Të njëjtit e kanë konsideruar se Fehmi Mehmeti, Guvernatori i BQK-së, është gjendur në konflikt interesi.

“Guvernatori i BQK-së është gjendur në konflikt interesi në dukje në rastin e pjesëmarrjes së tij në panelin përzgjedhës për intervistimin e rekomandimin e kandidatëve përkatësisht këshilltarëve të tij për anëtar jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së”, e ka cituar Hekuran Murati interpretimin e Zyrës Ligjore të Kuvendit të Kosovës.

Përveç këtij opinioni, Komisioni kishte para vetes edhe një rekomandim të Qeverisë së Kosovës që të shpallet përsëri konkursi dhe të mos trajtohen dy kandidatë të propozuar, Arben Mustafa dhe Veton Zeqiraj, për shkak se përzgjedhja e tyre është bërë në kundërshtim me nenin 84.2, ku thuhet se anëtarët jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së nuk do të jenë anëtar të personelit të BQK-së.

Përveç opinionit ligjor të Zyrës Ligjore të Kuvendit të Kosovës, Komisioni ka kërkuar edhe një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar nga paneli përzgjedhës në lidhje me këtë çështje.

Në raportin e FMN-së thuhet se ekziston rreziku që mungesa e pavarësisë për anëtarët jo-ekzekutiv mund të ketë pasoja negative të paplanifikuara. Po ashtu, në raport thuhet se BQK mund ta bëj në mënyrë që një ish-nëpunës i cili është i caktuar në bordin e Bankës Qendrore nuk duhet të kishte punuar për BQK-në në një rol me ndikim të konsiderueshëm apo afër menaxhmentit të lartë për të paktën 1 vit para emërimit.

“Neni 84.2 thotë anëtarët jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së nuk do të jenë anëtarë të stafit të BQK-së. Mirëpo nuk e cekë ndonjë restrikcion për stafin e mëparshëm. Megjithatë praktika më e mirë aktuale me standardet e përgjithshme për qeverisjen e korporatave i përfshin edhe rekomandimet që kualifikojnë standardin e pavarësisë te drejtorët jo-ekzekutiv. Kjo ndodh pasi që konsiderohet që është më e vështirë për jo-ekzekutivët të distancohen nga organizata nëse kanë marrëdhënie paraprake të punës me ekzekutivin apo anëtarët e tjerë të stafit. Kjo është posaçërisht e rëndësishme për individët të cilët i kanë pasur rolet ku i kanë luftuar drejtpërdrejtë me punën e Bankës Qendrore apo vendimmarrësit siç janë këshilltarët e lartë apo vendimmarrësit kryesorë”, citoi raportin e FMN-së, Hekuran Murati, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere.

Agjencia Kundër Korrupsion ka dhënë arsyetimin edhe në lidhje me pjesëmarrjen e Guvernatorit Fehmi Mehmeti në panelin përzgjedhës për intervistimin dhe vlerësimin e më pas rekomandimin për votim në Kuvendin e Kosovës të dy punonjësve aktual me orar jo të plotë në BQK, Arben Mustafës nga Kabineti i tij dhe Veton Zeqirajt, Këshilltar i Lartë në BQK.

AKK ka konstatuar se konstituimi dhe përbërja e panelit përzgjedhës, në të cilin përveç anëtarëve tjerë të Bordit të BQK-së, në përbërjen e vet ka edhe Guvernatorin e BQK-së, është në pajtim me nenin 38, paragrafi 2 i Ligjit për BQK-në, ku përcaktohet që “kurdo që paraqitet boshllëku i Guvernatorit apo i ndonjërit nga anëtarët jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore, do të konstituohet një panel i përbërë nga anëtarët e tjerë të bordit të Bankës Qendrore dhe Guvernatori, ku asnjëri prej tyre nuk kërkon riemërim […]”

Sipas AKK-së, konstituimi dhe përbërja e panelit është kërkesë ligjore që buron nga dispozita në fjalë.

“Megjithatë, e vlerësojmë të rëndësishme të sqarojmë se dospozita e nenit 38, paragrafi 2 i Ligjit për BQK-në, definon dhe përcakton në mënyrë eksplicite konstituimin dhe përbërjen e panelit përzgjedhës, por nuk definon e as përcakton çështjen e pjesëmarrjen e anëtarëve të panelit, zëvendësimin apo (vet)përjashtimin e tyre, në rastet ku mund të paraqiten situatat e konfliktit të nteresit ‘rast për rast’”, theksohet në opinionin e AKK-së.

AKK ka potencuar në opinionin e saj se përbërja e panelit dhe pjesëmarrja e tij në përzgjedhjen e kandidatëve, sado të ndërlidhura dhe të përafërta në shikim të parë, megjithatë nënkuptojnë dy gjëra të ndryshme. 

“Përbërja është e rregulluar me dispozitën e cituar më sipër dhe ka të bëj me faktin se kush e përbën atë panel ndërsa pjesëmarrja e panelit në përzgjedhjen e kandidatëve nuk ësht e rregulluar e aq më pak përcaktuar apriori me dispozitën në fjalë, sepse kjo ka të bëj me pjesëmarrjen në vendimmarje e cila mund dhe duhet të ndryshoj varësisht dhe sa herë që tek ndonjë anëtar i panelit paraqitet situata e konfliktit të interesit ‘rast për rast’”, vazhdon arsyetimi.

Sipas AKK-së, dispozita në fjalë është e qartë dhe eksplicite sa i përket përbërjes së panelit përzgjedhës, ndërsa lë hapur mundësinë e pjesëmarrjes ose jo të ndonjë anëtari, në rastin konkret të Guvernatorit në panel, nëse me rastin e intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve të ndryshëm, paraqiten situata të atilla të cilat mund të përbëjnë konflikt të interesit dhe të bien ndesh me dispozitat përkatëse të ligjeve relevante në fuqi, veçanërisht me dispozitën e nenit 17, paragrafi 1, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Paneli përzgjedhës i BQK-së, më 20 shkurt 2020, i ka dërguar Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë, listën me emrat e 6 kandidatëve të rekomanduar, në mënyrë që njëri nga kandidatët përmes votimit në Kuvend tl merr votat e nevojshme për t’u zgjedhur anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të BQK-së.

Lista me 6 kandidatët e propozuar për anëtar jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së të cilët janë dërguar në Kuvend kishte këtë përbërje: Arben Mustafa, Avni Sahiti, Bedri Peci, Mimoza Mustafa, Valdrin Kasumaj dhe Veton Zeqiraj.

Kuvendi i Kosovës, në datë 9 korrik 2020 përmes shkresës zyrtare e ka njoftuar BQK-në se në seancë plenare të Kovendit të Kosovës, pas 2 raundeve të fshehta votimi, asnjëri nga kandidatët e propozuar, nuk i kanë marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të BQK-së.

Edhe pse rasti është kthyer në pikën zero dhe BQK duhet të shpallë përsëri konkurs për pozitën e anëtarit jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së, AKK ka trajtuar rastin në fjalë si dhe ka nxjerrë opinion dhe rekomandime përkatëse, të cilat në të ardhmen do t’i shërbejnë institucionit në fjalë, në rastet si ky dhe ato të ngjashme me të.