Pamje nga mbledhja e sotme e Qeverisë - Foto: Zyra e Kryeministrit

Blerand Stavileci Shpjegon Hapat për ‘Trepçën’

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka shpjeguar sot përmbajtjen e projektligjit për “Trepçën” të cilin është duke e shqyrtuar qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë, Stavileci tha se projektligji, për të cilin do të votohet të premten në Kuvend, ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore për këtë kompani e cila rrezikon që nga fillimi i muajit të ardhshëm të shkojë në likuidim.

Sipas Stavilecit, me ligjin e ri, Qeveria e Kosovës do të jetë pronar i 80 % të aksioneve të “Trepçës”, ndërsa punëtorët do t’i posedojnë 20 % të aksioneve.

“E kemi precizuar qe 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, qeveria duhet t’ia paraqesë Kuvendit strategjinë zhvillimore të Trepçës”, tha ministri Stavileci.

Ai tha se bordi mbikëqyrës dhe bordi menaxhues do të jenë dy strukturat kryesore të kompanisë.