Foto: Kallxo.com

BIRN publikon raportin e monitorimit të Prokurimit Publik në komuna

Rrjeti Ballkanit për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka prezantuar raportit vjetor të monitorimit të prokurimit publik, në bashkëpunim me USAID-in, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kreshnik Gashi, redaktor përgjegjës në BIRN, tha se për vite me radhë kanë punuar në hartimin e raporteve që kanë pasur identifikimin e problemeve të prokurimit publik.

“Ne i kemi monitoruar ato që siç ne I quajmë vrimat e prokurimit përmes së cilave vidhet  buxheti i shtetit. Ne kemi gjetë shumë prej këtyre dhe për fat të mirë shumë prej tyre vrimave janë mbyllur”, shtoi Gashi.

Ndërkaq, redaktori i Gazetës Jeta në Kosovë, Visar Prebreza tha se raporti i prokurimit përfshin periudhën kohore tetor 2017 – tetor2018.

“Fokus kanë qenë të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa përzgjedhja e tenderëve është bërë në disa mënyra dhe kryesisht me rastet e ankesave nga operatorët ekonomik. Si BIRN kemi dashur t’i testojmë dy prej ndryshimeve  ligjore në 2016: Kërkesa për rishqyrtim, si dhe e kemi testuar transparencën e institucioneve publike”, theksoi ai.

Prebreza shtoi se në raport është konstatuar se ka një  paqartësi tek autoritetet kontraktuese se kush duhet t’i shqyrtojë ankesat.

“Janë bërë 272 kërkesa për rishqyrtim. Është mostër e mirë për me ditë se kah po shkojnë, por vetëm 15 për qind e vendimeve të autoriteteve kontraktuese kanë qenë në favor të bizneseve, ndërsa 85 për qind në favor të autoriteteve kontraktuese”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtoresha e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje të USAID-it Christina Davies ka përgëzuar BIRN-in për punën e bërë në këtë raport.

“Kosova ka bërë përpjekje për përmirësimin e transparencës. Është bërë lider në këtë fushë pasi ka kërkuar nga autoritetet e kontraktimit t’i hapin kontratat. Megjithatë, korrusioni mbete pengesë shumë e madhe për zhvillimin në Kosovë. Shpresoj që të gjithë do ta shikoni raportin pasi është shumë i vlefshëm”, tha Davies.

Foto: Kallxo.com