Xhafer Tahiri, Agim Bahtiri e Bekim Jashari - Foto: Facebook/AgimBahtiri

Bekim Jashari e Agim Bahtiri kundër idesë së Thaçit për 'korrigjim të kufijve'

Tre kryetarë të komunave të Kosovës janë bërë bashkë për të kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka falënderuar homologët nga Vushtrria, Xhafer Tahirin, dhe atë nga Skenderaj, Bekim Jasharin, për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë për ta kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve apo këmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Bahtirit, ishte një dakordim i përbashkët se ide të tilla janë synim i kamotshëm i Serbisë dhe se janë të dëmshme për Kosovën.

“Korrigjimin e kufijve” e quajti produkt të kuzhinës së Beogradit edhe ish-presidenti e ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

https://kallxo.com/sali-berisha-termi-korrigjim-kufijsh-eshte-produkt-i-kuzhines-se-beogradit/

Ndërsa, ky është postimi i plotë i kryetarit të Mitrovicës së Jugut në profilin e tij në “Facebook”:

“Falënderoj kryetarët Bekim Jashari dhe Xhafer Tahiri që më dhanë mbështetje të fuqishme për ta kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve apo këmbimit të territorit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Ishte dakordim i përbashkët se një gjë e tillë është synim i kamotshëm i Serbisë dhe e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, ku për pasojë mund të ketë vetëm pasiguri dhe destabilizim të gjendjes.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e çartë dhe decidive. Ajo nuk lejon në asnjë mënyrë ndryshimin e kufijve të shtetit të Kosovës dhe as këmbimin e çfarëdo pjese të territorit të tij. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët janë të obliguar me Kushtetutë që të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, prandaj ne qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të këtyre parimeve dhe kundërshtojmë edhe më fuqishëm tendencat dhe idetë për ndarjen apo këmbimin e territorit të shtetit të Kosovës.”