Foto: Facebook

BB Ndihmon Kosovën në Proceset e Integrimit

Banka Botërore do të jetë partner i Kosovës në proceset e saj të integrimit. Kështu ka premtuar zëvendëspresidenti i Grupit të BB-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller, në një takim me disa ministra të Qeverisë së Kosovës.

Në krye të një delegacioni të institucionit financiar, Cyril Muller ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për miratimin e Strategjisë 2016-2021 dhe ka premtuar për ta çuar përpara partneritetin.

“Ky takim është një takim fillestar që na mundëson të fillojmë një proces të drejtimit se ku do ta dërgojmë më tutje partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore. Kosova si objektiv në afat të gjatë ka integrimin në Bashkimin Evropian dhe Banka Botërore do të jetë partner i Kosovës, të cilën do ta ndihmojë që këtë qëllim ta arrijë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Muller.

Gjithashtu, ai tha se kjo kornizë e partneritetit të Bankës Botërore me Kosovën do ta mbulojë periudhën 2017-2021 dhe se ky takim do të mundësojë që ta fillojmë këtë diskutim në nivel më të lartë.

Ndërsa, Avdullah Hoti, ministër i Financave, theksoi se institucionet e Kosovës i janë mirënjohëse Bankës Botërore si një partner strategjik për mbështetjen e ofruar përgjatë këtyre viteve dhe se së bashku me të kanë arritur tejkalimin e shumë sfidave. [interaction id=”56d479a336e5105a3a262882″]

“Vendi ynë ka kaluar procese të rëndësishme tranzitore. Së bashku me Bankën Botërore ne kemi arritur të adresojmë sfida që kemi si shtet i ri, si shoqëri e re në sektorët kyçë”, theksoi ministri duke numëruar me rend sektorët e energjisë, ujërave, arsimit, shëndetësisë, të cilat, sipas tij, ka qenë e pamundur të zhvillohen me resurse vendore dhe pa mbështetjen e institucionit financiar ndërkombëtar.

“Për një vit të plotë kemi punuar për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik 2016 -2021, e cila ka definuar qartë sfidat që kemi si shtet i ri dhe masat përkatëse për adresimin e atyre sfidave”, tha ministri Hoti, duke shtuar se nga takimi pret konkluzione për bashkërendimin e aktiviteteve mes Qeverisë dhe Bankës Botërore si partneri strategjik i Kosovës në adresimin e këtyre sfidave zhvillimore të vendit.

Ministri i Financave tha gjithashtu se Kosova pret nga Banka Botërore që ta lejojë të hyjë në kredi ndërkombëtare për financimin e projekteve prioritare, ashtu siç është tani me Fondin Monetar Ndërkombëtar.